Seanca parlamentare është shoqëruar me debat të fortë mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me projektligjin për Gardën e Republikës.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, kërkoi heqjen nga rendi i ditës të projektligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 33, datë 31.03.2021, ‘Për Gardën e Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar”, duke propozuar shtyrjen e tij për shqyrtim në seancën pasardhëse. Kërkesa u miratua me votat e shumicës dhe të opozitës.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e ka kundërshtuar këtë nismë, duke e cilësuar si një projektligj të hartuar për interesa të një individi. Deputeti Klevis Balliu akuzoi mazhorancën se ndryshimet ligjore synojnë t’i hapin rrugë emërimit të një personi të afërt me kryeministrin Edi Rama në krye të Gardës.
Sipas Balliut, projektligji është “një kostum i qepur për një person të vetëm”, duke pretenduar se Parlamenti nuk mund të hartojë ligje për interesa individuale, por për interesin publik.
Në reagim, Balla i hodhi poshtë akuzat, duke i cilësuar si të pavërteta dhe shpifje. Ai theksoi se kërkesa për shtyrjen e projektligjit lidhet me nevojën për më shumë kohë shqyrtimi dhe për shkak të ngarkesës së çështjeve në rendin e ditës.
Balla nënvizoi gjithashtu rëndësinë e Garda e Republikës së Shqipërisë, duke e cilësuar atë si një nga institucionet elitare të sigurisë në vend, që meriton mbështetje dhe respekt.
Sipas tij, projektligji pritet të rikthehet për diskutim në seancën e ardhshme parlamentare.



