Europol ka goditur një rrjet të madh të trafikut të drogës që vepronte nga Ballkani drejt tregjeve të Bashkimit Europian, në një operacion të zhvilluar njëkohësisht në Mali i Zi dhe Gjermania.
Në qendër të hetimeve është Svetislav Filipoviç, 47 vjeç nga Podgorica, i identifikuar si “objektiv me vlerë të lartë” dhe organizator i të ashtuquajturit “Karteli Ballkanik”.
Së bashku me të janë arrestuar edhe disa persona të tjerë, mes tyre Boban Goluboviç, Enes Borançiç dhe Petar Krsmanoviç, ndërsa përfshirja në organizatë kriminale dhe trafik droge ka çuar në pranga edhe disa të dyshuar të tjerë. Ndërkohë, disa persona rezultojnë në paraburgim dhe të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një rrjet të strukturuar kriminal, me role të ndara qartë, që përfshinte financues, koordinatorë dhe logjistikë të avancuar, duke dëshmuar se grupet kriminale në Ballkan operojnë tashmë në nivele të konsoliduara ndërkombëtare.
Operacioni ka çuar në procedimin e 14 personave, 10 në Mal të Zi dhe 4 në Gjermani, ndërsa hetimet janë mbështetur edhe nga autoritetet e Austrisë dhe Spanjës.
Sipas Europol, rrjeti dyshohet për trafikimin e rreth 2.7 ton kokainë dhe 1.5 ton kanabis gjatë periudhës tetor 2024 – prill 2026. Lëndët narkotike janë sekuestruar në 12 operacione të mëparshme në vende të ndryshme të BE-së dhe në Amerikën e Jugut.
Droga transportohej përmes rrugëve detare dhe ajrore, duke përdorur kontejnerë dhe metoda të sofistikuara fshehjeje. Kanabisi dyshohet se lëvizte drejt BE-së nga ose përmes vendeve si Shqipëria, Tajlanda dhe Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet theksojnë se goditja e këtij rrjeti tregon se Ballkani po konsiderohet gjithnjë e më shumë si një nyje e rëndësishme në trafikun ndërkombëtar të drogës, ndërsa hetimet vijojnë për të çmontuar plotësisht strukturën kriminale.



