back to top
19.5 C
Tirana
E hënë, 20 Prill, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaGjykata Kushtetuese rrëzon vendimin e Kuvendit për komisionet parlamentare

Gjykata Kushtetuese rrëzon vendimin e Kuvendit për komisionet parlamentare

Gjykata Kushtetuese ka shpallur të papajtueshëm me Kushtetutën vendimin e Kuvendit të Shqipërisë të datës 16 shtator 2025, i cili parashikonte rritjen e numrit të komisioneve parlamentare nga 8 në 11. Me një vendim unanim, trupa gjykuese i ka dhënë të drejtë grupit të deputetëve të pakicës, duke theksuar se procedura e ndjekur cenoi rëndë parimet e demokracisë përfaqësuese.

Vendimi i Gjykatës i jep fund një përplasjeje institucionale të nisur që në fillim të legjislaturës së re, kur shumica socialiste miratoi brenda 24 orëve ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, pa i lënë hapësirë opozitës për debat dhe shqyrtim të plotë.

Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese ishte depozituar nga një e pesta e deputetëve, të përfaqësuar nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, dhe avokati Marash Logu. Ata argumentuan se përfshirja e ndryshimeve në rendin e ditës në mënyrë të menjëhershme dhe kufizimi i së drejtës së fjalës përbënin shkelje të rëndë të të drejtave parlamentare.

Nga ana tjetër, Kuvendi mbrojti qëndrimin e tij duke pretenduar se ndryshimet ishin të domosdoshme për të përshpejtuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Por Gjykata e rrëzoi këtë argument, duke theksuar se nuk kishte prova për një urgjencë të tillë.

Në arsyetimin e saj, Gjykata nënvizoi se mënyra e ndjekur për miratimin e ndryshimeve i privoi deputetët nga mundësia për t’u informuar, për të propozuar amendamente dhe për të zhvilluar debat të mirëfilltë parlamentar.

“Procedura e përshpejtuar dhe mënyra e thirrjes së seancës plenare kanë sjellë cenimin e parimit të demokracisë përfaqësuese, veçanërisht në drejtim të lirisë së shprehjes së deputetëve të pakicës,” thuhet në vendim.

Gjykata shton se autonomia e Kuvendit për të rregulluar funksionimin e tij nuk mund të përdoret për të kufizuar të drejtat e deputetëve, duke vendosur kështu një standard të rëndësishëm për të ardhmen e jetës parlamentare në vend.

Për të shmangur një bllokim të menjëhershëm institucional, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që efektet e këtij vendimi të hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Kjo periudhë tranzitore i jep kohë Kuvendit të riorganizojë strukturën e komisioneve në përputhje me Kushtetutën dhe standardet demokratike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat