Bordi i Transparencës ka publikuar këtë të premte çmimet e reja të karburanteve në vend, duke vendosur ulje për naftën.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e datës 15 maj 2026, nafta do të tregtohet me jo më shumë se 198 lekë për litër në shitje me pakicë, nga 201 lekë/litër që ishte më parë.
Ndërkohë, çmimi i benzinës është përcaktuar në jo më shumë se 185 lekë për litër në tregun me pakicë.
Në njoftimin zyrtar thuhet se:
Çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 do të jetë maksimumi 198 lekë/litër, ndërsa në shumicë 186 lekë/litër.
Çmimi i benzinës standard SSH EN do të jetë maksimumi 185 lekë/litër në pakicë dhe 173 lekë/litër në shumicë.
Bordi bëri me dije se çmimet e reja hynë në fuqi sot, më 15 maj, në orën 13:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme.
Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin e detyrueshëm të vendimit, ndërsa në rast shkeljesh pritet pezullim i aktivitetit.
Sipas njoftimit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.



