back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 15 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaFundosja e pallateve te “Durrës Marina”/ Prokuroria nis hetimet

Fundosja e pallateve te “Durrës Marina”/ Prokuroria nis hetimet

Zhytja në rërën e bregdetit Adriatik e disa godinave të financuara nga projekti arab “Durrës Marina” ka sjellë nisjen e hetimeve kryesisht nga seksioni i krimit ekonomik pranë Prokurorisë së Durrësit.

Sipas informacioneve të siguruara nga gazetari Elton Qyno, hetimi ndodhet aktualisht në fazën fillestare, ku organi i akuzës është përqendruar në administrimin e dokumentacionit teknik dhe procedural. Në vijim pritet marrja në pyetje e personave që kanë dijeni mbi hartimin dhe zbatimin e projektit.

Ndërkohë, në ditët në vijim pritet që pranë Prokurorisë së Durrësit të depozitohen kallëzimet e para nga qytetarët që kanë blerë apartamente dhe njësi tregtare në godinat që kanë pësuar dëmtime në strukturën e themeleve.

Pas sinjalizimeve për problemet strukturore, disa institucione monitoruese kanë kryer verifikime në terren. Gjatë ditës së djeshme, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) pranoi zyrtarisht ekzistencën e problematikës, duke konfirmuar fundosjen e dy objekteve.

“Sipas raportit topografik të Institutit të Ndërtimit, Objekti 02 ka shfaqur një ulje prej 28 cm, ndërsa Objekti 04 një ulje prej 18 cm. Në verifikim kanë marrë pjesë inspektorë të IKMT-së, përfaqësues të AZHT-së, IMT-së së Bashkisë Durrës dhe specialistë të Institutit të Ndërtimit”, thuhet në deklaratën zyrtare të IKMT-së.

Po ashtu, IKMT bëri të ditur se i ka kërkuar kompanisë zbatuese të marrë menjëherë masa për përforcimin strukturor të godinave, si dhe të sigurojë miratimin paraprak të çdo ndërhyrjeje nga institucionet përgjegjëse.

Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Durrësit ka regjistruar një procedim penal për kryerjen e veprimeve hetimore me qëllim zbardhjen e rrethanave që çuan në fundosjen e dy pallateve në zonën e projektit “Durrës Marina”.

Organi i akuzës pritet të kërkojë nga IKMT raportet topografike dhe dokumentacionin e konstatimit të shkeljeve. Gjithashtu, do të caktohen tre ekspertë ligjorë për të kryer ekspertimin teknik mbi cilësinë e ndërtimit dhe pasojat e shkaktuara.

Në qendër të projektit gjigant për ndërtimin e një zone elitare biznesi dhe turizmi qëndron kompania Emaar Properties, e njohur për investimet e saj në Dubai dhe Abu Dhabi, në bashkëpunim me shtetin shqiptar dhe kompani vendase projektuese e ndërtuese.

Sipas të dhënave të publikuara, kompania arabe ka kontraktuar një studio projektimi në pronësi të Ornela Muçit, ndërsa punimet e ndërtimit janë realizuar nga kompania Elmazaj Konstruksion, në pronësi të Shkëlqim dhe Mirel Elmazaj.

Skandali i fundosjes së godinave në “Durrës Marina” po konsiderohet si një nga rastet më të rënda në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, pasi projekti ishte promovuar si një investim strategjik që do të sillte një standard të ri për turizmin dhe rezidencat luksoze në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat