Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar përmes rrjeteve sociale lidhur me zvarritjen e punimeve në një rrugë në zonën e Selitës në Tiranë, duke publikuar dy video që lidhen me problematikat infrastrukturore dhe përplasjet mes institucioneve.
Në videon e parë, Braçe shfaq gjendjen e një rruge në Selitë, për të cilën thotë se ka dy vite që nuk përfundon për shkak të moskoordinimit mes institucioneve dhe pritjes për ndërhyrjen e OST-së.
Sipas deputetit socialist, çdo reshje shiu dëmton investimet e kryera deri më tani, ndërsa ai akuzon institucionet për mungesë zgjidhjeje konkrete.
“Zgjidhja që ka dhënë OST për Bashkinë: asfaltoni ju, pastaj vijojmë ne me hapjen e kanalit për linjën përsëri”, shkruan Braçe.
Në videon e dytë të publikuar prej tij shfaqet kryeministri Edi Rama, në kohën kur ishte kryebashkiak i Tiranës, duke prerë me sopatë një shtyllë në rrugën e Tufinës, pas një konflikti institucional për zhvendosjen e saj.
Braçe e përdor këtë episod për të bërë një paralelizëm me situatën aktuale, duke thënë se edhe pas 23 vitesh problemet mbeten të njëjta.
“23 vite kthim pas tek sopata, ndryshe punët nuk bëhen dhe njerëzit vuajnë budallallëkun e të njëjtave institucione”, shkruan ai.
Në reagimin e tij, deputeti socialist ironizon edhe mbledhjet dhe diskutimet mes institucioneve, duke theksuar se sipas tij vetëm ndërhyrjet konkrete japin zgjidhje.
“Vetëm sopata bën punë, mbledhje lalalala të asaj dhe kujtdo nuk bëjnë punë”, përfundon Braçe në postimin e tij.



