Platforma qeveritare e-Albania është rikthyer në funksion pas dy ditësh jashtë shërbimit, periudhë gjatë së cilës u kryen ndryshime dhe përditësime teknike në sistem.
Rihapja e platformës u njoftua nga kryeministri Edi Rama, i cili publikoi në rrjetet sociale një video prezantuese me risitë dhe ndryshimet e realizuara në versionin e ri të portalit.
Sipas Ramës, tashmë “e-Albania 2.0” përfaqëson një hap të ri në transformimin digjital të shërbimeve publike në Shqipëri, me një infrastrukturë tërësisht të modernizuar dhe me synimin për të ofruar më shumë shpejtësi dhe efikasitet për qytetarët dhe bizneset.
Në mesazhin e tij, kreu i qeverisë theksoi se platforma është ridizenjuar mbi teknologji të avancuara dhe standarde moderne performance, duke synuar përmirësimin e eksperiencës së përdoruesve.
“E-Albania 2.0, një hap i ri në transformimin digjital të shërbimeve publike në Shqipëri. Platforma e re vjen e ridizenjuar mbi një infrastrukturë tërësisht të modernizuar, për të ofruar një eksperiencë më të shpejtë për qytetarët dhe bizneset”, shkroi Rama.
Sipas tij, versioni i ri i platformës sjell një nivel më të lartë aksesueshmërie dhe gjithëpërfshirjeje, duke mundësuar përdorim më të lehtë edhe për personat me aftësi të kufizuara.
Kryeministri theksoi se objektivi është ndërtimi i një shërbimi publik digjital pa barriera dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.
Gjatë dy ditëve të fundit, shumë qytetarë dhe biznese hasën vështirësi në aksesimin e shërbimeve online për shkak të ndërprerjes së përkohshme të platformës, ndërsa autoritetet kishin njoftuar se sistemi do të rikthehej pas përfundimit të përditësimeve teknike.
e-Albania është porta kryesore e ofrimit të shërbimeve publike online në vend, përmes së cilës qytetarët dhe bizneset kryejnë aplikime, marrin dokumente dhe aksesojnë shërbime të ndryshme shtetërore në mënyrë elektronike.



