Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka ankimuar zyrtarisht këtë të hënë vendimin për përjashtimin e tij nga gara për kryetar të Partisë Demokratike, duke kundërshtuar procedurat e ndjekura nga drejtuesit e selisë blu.
Në kërkesën drejtuar Kryesisë së PD-së, Salianji pretendon se nuk është njoftuar zyrtarisht për asnjë masë disiplinore apo vendim për përjashtimin e tij nga partia, ndërsa akuzon strukturat drejtuese se kanë vepruar në kundërshtim me statutin.
Sipas tij, dokumentacioni i kandidimit për garën për kreun e PD-së nuk është pranuar nga administrata e partisë, ndërsa përfaqësuesit e tij nuk janë lejuar të dorëzojnë fizikisht dokumentet në selinë blu.
Për këtë arsye, Salianji shprehet se dokumentacioni është dërguar përmes postës dhe emailit, me qëllim respektimin e afateve dhe procedurave të kandidimit.
Në ankimimin e tij, ish-deputeti demokrat reagon edhe ndaj deklaratave të sekretarit ligjor të PD-së, Ivi Kaso, i cili kishte deklaruar se Salianji nuk plotësonte kriteret për të kandiduar, pasi nuk konsiderohej më anëtar i Partisë Demokratike.
Sipas Kasos, ndaj Salianjit ekzistojnë pretendime për lidhje të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar, argument që është përdorur për të justifikuar përjashtimin e tij nga gara.
Por në reagimin e tij, Ervin Salianji i mohon kategorikisht këto akuza dhe kërkon që çdo pretendim ndaj tij të bëhet publik dhe të mbështetet me prova konkrete.
Ai thekson se nuk ka marrë asnjë vendim të zbardhur për përjashtimin nga partia dhe se, sipas tij, procedurat statutore nuk janë respektuar në asnjë fazë të procesit.
Salianji shkon edhe më tej në argumentimin e tij, duke pretenduar se kandidimi i Sali Berisha për një tjetër mandat në krye të PD-së bie ndesh me statutin e partisë.
Sipas tij, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, mandati i Berishës si kryetar i PD-së ka përfunduar automatikisht dhe statuti nuk i lejon rikandidimin në zgjedhjet pasardhëse për drejtimin e partisë.
Në dokumentin e depozituar pranë strukturave të PD-së, Salianji përmend edhe shpalljen “non grata” të Berishës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar, duke argumentuar se akuzat ndaj kreut aktual të PD-së janë më të rënda sesa pretendimet që, sipas tij, përdoren për ta përjashtuar nga gara.
Ish-deputeti demokrat kërkon gjithashtu shpalljen të pavlefshme të çdo vendimi për përjashtimin e tij nga Partia Demokratike, anulimin e vendimit të KOKOE-së, si dhe shqyrtimin e përputhshmërisë me statutin të vendimeve të marra nga Kryesia e PD-së.



