Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të zgjasë me tre muaj masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për Gentian Gjylin dhe Erald Elezin.
Kërkesa ishte paraqitur më 12 maj 2026 nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), e cila kërkoi zgjatjen e afatit të paraburgimit për dy të pandehurit me një periudhë shtesë prej tre muajsh.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, trupa gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin nr. 366, datë 18 maj 2026, vendosi pranimin e kërkesës së SPAK.
Sipas vendimit, masa e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, do të vijojë për një periudhë prej tre muajsh për secilin prej të pandehurve, duke nisur nga dita e përfundimit të afatit aktual.
Gjykata ka bërë me dije gjithashtu se ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit.



