Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF) ka publikuar raportin për pastrimin e parave për vitin 2025, duke evidentuar shtatë skema kryesore përmes të cilave dyshohet se janë qarkulluar dhe legalizuar miliona euro me burim të dyshimtë.
Raporti evidenton përdorimin e aktiviteteve tregtare fiktive, investimeve në pasuri të paluajtshme, kompanive offshore, marketingut online, blerjeve të veprave të artit dhe mashtrimeve me terminale POS për të fshehur origjinën e fondeve.
Një nga rastet më të mëdha të identifikuara lidhet me sektorin e marketingut online, ku 11 kompani të regjistruara në Shqipëri kanë përfituar rreth 3.7 milionë euro transferta nga vende të Europës dhe Azisë.
Sipas AIF, këto kompani kishin administratorë dhe ortakë të lidhur me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitet në të njëjtën fushë dhe në shumicën e rasteve regjistroheshin e më pas çregjistroheshin brenda një periudhe shumë të shkurtër.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se disa prej këtyre subjekteve janë referuar për fshehje të ardhurash dhe mospagim taksash, ndërsa autoritetet dyshojnë se llogaritë e tyre janë përdorur për qarkullim fondesh me origjinë të paqartë.
Vila 1.5 milionë euro në emër të një 18-vjeçareje
Një tjetër rast që ka ngritur dyshime lidhet me investimet në pasuri të paluajtshme në bregdet.
Sipas raportit, një vajzë 18-vjeçare ka blerë një vilë me vlerë 1.5 milionë euro, ndërsa financimi është bërë nga motra e saj 40-vjeçare, rezidente në një shtet me lehtësira fiskale.
Po kjo shtetase ka investuar edhe 1.7 milionë euro për një tjetër vilë në bregdet, si dhe rreth 700 mijë euro në blerje veprash arti në Shqipëri.
AIF thekson se fondet kanë kaluar në disa juridiksione të ndryshme, ndërsa kompania e lidhur me këto transferta operonte në sektorin e lojërave online në Seychelles dhe në vende të tjera me risk të lartë financiar.
Në raport përmendet gjithashtu se bashkëshorti i shtetases rezulton i përfshirë në aktivitete të lidhura me krimin e organizuar.
Tokë me çmime të ulëta dhe shitje miliona euro
Një tjetër skemë lidhet me investimet masive në prona në zonat e Tiranës, Kavajës, Prezës, Dajtit, Petrelës dhe Mulletit.
Sipas raportit, një person ka blerë mijëra metra katrorë tokë me çmime shumë më të ulëta se tregu dhe më pas i ka rishitur brenda pak muajsh me vlera shumëfish më të larta.
Në një rast, një tokë e blerë për 30 mijë euro është rishitur për 423 mijë euro, ndërsa një tjetër pronë e blerë për 15 mijë euro është shitur për 180 mijë euro.
Hetuesit kanë ngritur dyshime për burimin real të fondeve dhe për përdorimin e transaksioneve të pasurive të paluajtshme për pastrim parash.
Skema me karta bankare dhe blerje luksi
Raporti zbulon edhe një tjetër skemë ku disa persona përdornin llogari personale dhe karta të parapaguara për të kryer blerje luksoze jashtë vendit.
Sipas AIF, rreth 1.9 milionë euro janë depozituar në llogari të ndryshme bankare, ndërsa fondet janë përdorur kryesisht për blerje online të markave luksoze.
Një pjesë e konsiderueshme e parave vinte edhe nga rimbursime TVSH-je përmes kompanive ndërkombëtare “Planet Tax Free” dhe “Global Blue Tax Free”.
Autoritetet dyshojnë se aktiviteti real tregtar nuk ishte deklaruar dhe se fondet qarkullonin përmes një rrjeti familjarësh dhe personash të afërt.
Ish-zyrtari i dënuar investon në apartamente dhe njësi tregtare
Në raport evidentohet edhe një ish-zyrtar shtetëror i dënuar më herët për korrupsion dhe shpërdorim detyre, i cili gjatë vitit 2024 ka investuar në apartamente, poste parkimi dhe njësi tregtare.
Sipas AIF, fondet janë siguruar përmes depozitimeve dhe transfertave nga persona të ndryshëm, në formën e huave, dhuratave dhe likuidimeve borxhesh, por me lidhje të paqarta mes palëve.
Persona me precedent narkotikësh investojnë në prona jashtë vendit
Një tjetër tipologji lidhet me investime në pasuri të paluajtshme nga persona me precedentë penalë në fushën e narkotikëve.
Në një rast, një person me identitet të ndryshuar dhe precedent penal për narkotikë ka transferuar 120 mijë euro në një shtet europian për blerje prone, ndërsa fondet ishin siguruar përmes depozitimesh dhe “huave” nga persona pa lidhje familjare.
Mashtrim me terminale POS dhe 1 milion euro transferta
Raporti zbulon edhe një skemë mashtrimi me terminale POS, ku një kompani shqiptare me administrator shtetas të huaj ka kryer transaksione me vlerë rreth 1 milion euro përmes kartave bankare të huaja.
Sipas hetimeve, kompania kishte shtuar aktivitetin “agjenci turistike” pak para kryerjes së transfertave dhe kishte justifikuar lëvizjet financiare me fatura për makina me qira, eskortë dhe shërbime VIP.
Mastercard International ka bllokuar një pjesë të transaksioneve pasi u konstatuan tentativa për të kaluar limitet e lejuara të kartave bankare.
Agjencia e Inteligjencës Financiare thekson se të gjitha rastet janë referuar për hetime të mëtejshme në organet ligjzbatuese, për dyshime mbi pastrim parash, fshehje të ardhurash, mashtrim financiar dhe evazion fiskal.



