Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka shpërndarë një telegram urgjent në të gjitha drejtoritë vendore dhe komisariatet e policisë në vend, duke kërkuar masa të menjëhershme për goditjen e shpërndarjes së drogës dhe mbajtjes së armëve të ftohta në shkolla dhe në perimetrin e sigurisë së tyre.
Në dokumentin zyrtar, Hita shpreh shqetësimin për disa ngjarje të rënda të regjistruara gjatë vitit shkollor 2024-2025, ku nxënës apo persona të tjerë kanë hyrë në ambientet arsimore me sende të ndaluara, duke krijuar rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e nxënësve, si dhe duke cenuar zhvillimin normal të procesit mësimor.
Për këtë arsye, kreu i Policisë së Shtetit ka urdhëruar organizimin e shërbimeve të posaçme policore pranë çdo institucioni arsimor në vend. Sipas udhëzimeve, agjentë të policisë kriminale do të vendosen pranë shkollave për të monitoruar situatën dhe për të identifikuar personat që shpërndajnë lëndë narkotike.
Po ashtu, në planin e masave parashikohen kontrolle të befasishme nga strukturat e narkotikëve, agjentët e komisariateve dhe forcat operacionale, me synim kapjen në flagrancë të personave që tentojnë të futen në shkolla për të shpërndarë drogë.
Një tjetër fokus i urdhrit lidhet edhe me mbrojtjen e të miturve nga produktet e ndaluara. Strukturat e Hetimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me komisariatet, janë urdhëruar të intensifikojnë kontrollet për të mos lejuar shitjen e produkteve të ndaluara për personat nën moshën 18 vjeç.
Masat e reja vijnë në një moment kur siguria në shkolla është kthyer në një nga shqetësimet kryesore për institucionet dhe prindërit në mbarë vendin.





