back to top
21.5 C
Tirana
E hënë, 18 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetDhurata Çupi: Mediat në Shqipëri ndodhen në një moment kritik

Dhurata Çupi: Mediat në Shqipëri ndodhen në një moment kritik

Liria e medias dhe siguria e gazetarëve ishin në qendër të diskutimeve në Konferencën për Mediat në Evropën Juglindore, organizuar nga OSBE, ku përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe drejtues mediash ngritën shqetësime për presionet në rritje ndaj gazetarëve dhe sfidat me të cilat përballet gazetaria në rajon.

Në aktivitetin e organizuar nga Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, u theksua rëndësia e krijimit të një mjedisi të sigurt dhe profesional për median, si një element kyç për funksionimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Jan Braathu, deklaroi se liria e medias dhe liria e shprehjes janë thelbësore për mbrojtjen e demokracisë, ndërsa paralajmëroi për rritjen e kërcënimeve ndaj gazetarëve.

“Vetë gazetarët po përballen me rritje të kërcënimeve. Liria e medias dhe liria e shprehjes janë thelbësore për të mbështetur demokracitë tona. Pa siguri nuk ka gazetarë të lirë dhe nuk ka media të lirë. Kërcënimet ndaj gazetarëve nuk duhet të mbeten pa ndëshkim”, u shpreh Braathu.

Ndërkohë, shefi i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran, theksoi se gazetaria vijon të përballet me sfida të ngjashme në të gjithë rajonin, pavarësisht ndryshimeve mes vendeve.

Sipas tij, rënia e besimit tek institucionet, manipulimi i informacionit, gjuha e urrejtjes në internet, sulmet ndaj gazetarëve dhe dobësimi i pluralizmit mediatik janë disa nga problemet kryesore që po ndikojnë negativisht në hapësirën publike dhe demokratike.

“Siguria sot nuk lidhet vetëm me territorin apo infrastrukturën, por edhe me integritetin e hapësirave të informacionit ku qytetarët krijojnë opinionet dhe marrin vendime demokratike”, deklaroi Tarran.

Në konferencë foli edhe Drejtoresha e Përgjithshme e “Focus Media News”, Dhurata Çupi, e cila u ndal tek situata e mediave në Shqipëri dhe presionet politike ndaj tyre.

Ajo deklaroi se mediat në vend ndodhen në një moment kritik, duke theksuar se presionet politike dhe sulmet ndaj mediave kanë ndikuar drejtpërdrejt në klimën e informimit publik.

Sipas Çupit, News24 është kthyer në një pikë reference për qytetarët për shkak të raportimit transparent dhe investigimeve të guximshme, pavarësisht presioneve politike.

“Kemi gazetarë të guximshëm dhe një media që vazhdon të transmetojë investigime pa kompromis dhe pa u ndikuar nga presioni politik”, deklaroi ajo.

Konferenca u zhvillua në një kohë kur raportet ndërkombëtare vijojnë të evidentojnë shqetësime për pavarësinë editoriale, presionet politike dhe sigurinë e gazetarëve në rajon, ndërsa OSBE ritheksoi nevojën për forcimin e mbrojtjes ligjore dhe institucionale të medias së lirë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat