Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Doganave, Ylber Karanxha, është paraqitur këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Karanxha është mes dhjetëra zyrtarëve dhe punonjësve të Doganave dhe Antikontrabandës që akuzohen për përfshirje në një skemë kontrabande me miliarda paketa cigare të kompanisë “Albania Tabak”, e lidhur sipas hetimeve me biznesmenin Ergys Agasi.
Sipas hetimeve, 29 funksionarë dhe punonjës të Doganave dyshohet se, përmes veprimeve dhe mosveprimeve të tyre, kanë lejuar transportimin e mallrave me akcizë pa pullë fiskale, në kundërshtim me ligjin. Ata akuzohen gjithashtu se nuk kanë shoqëruar ngarkesat deri në kufi dhe kanë hedhur të dhëna të rreme në sistemin e brendshëm doganor.
Bazuar në këto rrethana, 28 nga 29 punonjësit e përfshirë në hetim akuzohen edhe si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në kontrabandën e cigareve.
Në vendimin e gjykatës thuhet se Karanxha ka rinovuar autorizimin për kompaninë “Albania Tabak” gjatë viteve 2022 dhe 2023 pa kërkuar garanci, duke favorizuar sipas hetimeve kontrabandën drejt vendeve të tjera.
Fabrika e cigareve “Albania Tabak”, e themeluar në vitin 1998, dyshohet nga SPAK se është përdorur nga një grup i strukturuar kriminal për tregun e zi ndërkombëtar të cigareve, duke shkaktuar miliona euro dëm për buxhetin e shtetit shqiptar dhe atë europian.
Sipas deklaratave doganore, cigaret prodhoheshin për llogari të kompanisë “GM Inter Tobacco Fze” me seli në Dubai dhe eksportoheshin drejt Qipros përmes kufirit me Greqinë. Por sipas Prokurorisë, ngarkesat nuk kalonin në territorin grek, por devijonin drejt Kosovës ose Maqedonisë së Veriut, për destinacione ende të paidentifikuara.
SPAK dyshon se një aktivitet i tillë nuk mund të realizohej pa implikimin dhe korrupsionin në strukturat doganore.
Ndërkohë, ish-pronarët e fabrikës, Ilir Jashari dhe Darjo Jashari, e shitën kompaninë tek Ergys Agasi pak para arrestimit të tyre. Agasi, i pyetur nga BIRN, ka deklaruar se fabrikën e bleu pas disa vitesh negociata për të prodhuar markat e tij të cigareve, të cilat aktualisht prodhohen në Bullgari.



