back to top
28.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaSiguracioni i makinave pritet të shtrenjtohet/ AMF propozon ndryshime të reja

Siguracioni i makinave pritet të shtrenjtohet/ AMF propozon ndryshime të reja

Përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian ka detyruar Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) të rishikojë ligjin për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.

Projektligji i ri parashikon rritje të ndjeshme të kufijve të dëmshpërblimit që kompanitë e sigurimit duhet të paguajnë në rast aksidentesh, përfshirë edhe dëmet ndaj personave. Ndryshimet do të hyjnë në fuqi pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Sipas ekspertit të sigurimeve Ersuin Shehu, limiti i ri i përgjegjësisë për çdo ngjarje sigurimi do të arrijë në 6.45 milionë euro, një rritje shumë herë më e lartë krahasuar me nivelet aktuale.

“Aktualisht ekzistojnë disa nivele në varësi të llojit të mjetit. Për shumicën e automjeteve, përfshirë autoveturat për përdorim personal, limiti është 55 milionë lekë. Me ligjin e ri do të kemi një rritje me më shumë se 10 herë”, shpjegon Shehu.

Eksperti paralajmëron se ndryshimet do të reflektohen edhe në çmimin e policave të sigurimit të detyrueshëm për drejtuesit e mjeteve.

“Çmimi i sigurimit të detyrueshëm të mjetit do të jetë më i lartë nga sa është sot, megjithëse është ende herët për të përcaktuar vlera konkrete”, thekson ai.

Një tjetër risi e draftit lidhet me digjitalizimin e shërbimeve. Shoqëritë e sigurimit do të kenë mundësi të përdorin sisteme elektronike për lidhjen e kontratave me klientët, të cilat do të kenë të njëjtën vlefshmëri ligjore si kontratat e nënshkruara në letër.

Ndryshimet synojnë harmonizimin e tregut shqiptar të sigurimeve me standardet evropiane, por pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në kostot që do të përballojnë drejtuesit e automjeteve në të ardhmen.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat