Valon Ademi ka reaguar publikisht pas debatit të raportuar me Begjet Pacollin në Aeroportin e Vlorës, duke lëshuar akuza të forta ndaj biznesmenit dhe politikanit kosovar.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Ademi pretendon se Pacolli i ka ofruar 80 milionë euro në shkurt të vitit 2025 për blerjen e aksioneve të Aeroportit të Vlorës, duke pretenduar se oferta ishte bërë në interes të palëve të treta që, sipas tij, lidhen me interesa ruse.
Pronari i 2A Group shkruan se e ka refuzuar ofertën, duke e cilësuar atë të papranueshme për shkak të personave që, sipas tij, qëndronin pas transaksionit.
“Ti nuk ke faj që unë e refuzova ofertën tënde prej 80 milionë eurosh në shkurt të vitit 2025, për t’ia shitur aeroportin atyre që ti i di mirë”, shprehet Ademi në reagimin e tij.
Ai pretendon se refuzimi i kësaj oferte ka qenë pika e nisjes së përplasjes mes palëve, ndërsa akuzon Pacollin se po vepron në interes të grupeve të tjera për të marrë kontrollin e Aeroportit të Vlorës.
Në reagimin e tij, Ademi përmend gjithashtu emrin e Bart Turtelboom, të cilin e cilëson si personin që, sipas tij, po drejton skemën financiare dhe juridike për transferimin e kontrollit të aeroportit.
Biznesmeni hedh akuza edhe për ekzistencën e një strukture të quajtur “Compartment Bernina”, duke i kërkuar Pacollit të sqarojë publikisht lidhjet dhe interesat që, sipas tij, fshihen pas kësaj çështjeje.
“Unë nuk shitem, nuk intimidohem, nuk frikësohem dhe nuk dorëzohem kurrë”, shkruan Ademi, duke theksuar se do të vazhdojë betejën e tij për Aeroportin e Vlorës.
Deri tani nuk ka pasur një reagim publik nga Begjet Pacolli lidhur me akuzat e ngritura nga Valon Ademi.



