back to top
28.5 C
Tirana
E premte, 29 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaDegradimi i KLP-së/ Kush i tërheq fijet e dyshes Bogdani -Stojani që...

Degradimi i KLP-së/ Kush i tërheq fijet e dyshes Bogdani -Stojani që shahen e pështyhen?

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), i konceptuar si organ garantues i pavarësisë dhe administrimit të sistemit të prokurorisë, po shfaq një model të përsëritur tensionesh të brendshme.

Në qendër të këtyre përplasjeve janë dy figura, anëtari i KLP-së Sokol Stojani dhe kryetarja Mirela Bogdani, të cilët në më shumë se një rast janë përfshirë në debate të ashpra gjatë mbledhjeve zyrtare.

Evidencat publike tregojnë se nuk bëhet fjalë për një incident të izoluar, por për një seri përplasjesh të përsëritura në kohë, duke e kthyer institucionin në një ring sharjesh, fyerjesh dhe ofendimesh.

Rasti i 30 prillit 

Seanca e KLP-së e 30 prillit është shoqëruar me debate të forta lidhur me vendimin për hapjen e vendeve vakante dhe procedurën e dërgimit të tyre në Kuvend.

Debati mes Stojanit dhe Bogdanit është zhvilluar gjatë mbledhjes disaorëshe.

Konflikti nisi kur kryetarja kërkoi rikthimin për rishqyrtim të një vendimi, ndërsa Stojani e kundërshtoi kategorikisht këtë procedurë.

Pjesë nga debati 

Sokol Stojani: “S’ka gjë më ordinere se kjo. Ky është një problem konceptual.”

Mirela Bogdani: “Unë e rikthej për diskutim.”

Sokol Stojani: “Nuk diskutohet një vendim i marrë!”

Mirela Bogdani: “Unë kështu e gjykova. Kush je ti që më tregon mua?”

Sokol Stojani: “Po kush je ti, moj?”

Mirela Bogdani: “Po mbase jam çmendur unë.”

Sokol Stojani: “Po je çmendur, moj, je çmendur.”

Debati kaloi nga çështje procedurale në përplasje të drejtpërdrejtë verbale, duke ekspozuar nivelin e tensionit brenda mbledhjes.

Shkurt 2026 

Një tjetër episod i tensionuar raportohet në 5 shkurt 2026, kur diskutimet u fokusuan te mosekzekutimi i një vendimi të formës së prerë.

Sokol Stojani akuzoi kryetaren e KLP-së për tejkalim kompetencash dhe ndërhyrje në funksione që, sipas tij, nuk i takojnë.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për moszbatimin e një vendimi gjyqësor të formës së prerë, duke kërkuar sqarime të përsëritura nga institucioni.

Tetor 2025

Një tjetër rast i dokumentuar i përplasjes mes tyre lidhet me mbledhjen e tetorit 2025, ku në rend dite ishte procedura për plotësimin e vendit vakant të drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës.

Debati u fokusua në rolin e kryetares në vendosjen e çështjeve në rendin e ditës, me Stojanin që e konsideroi këtë si tejkalim të kompetencave.

Ai deklaroi publikisht se projekt-aktet duhet të vijnë nga komisionet përkatëse dhe jo të rikonstruktohen nga kryesia, duke e akuzuar këtë veprim si shkelje të procedurës.

Tre episode por edhe të tjera, në një periudhë relativisht të shkurtër tregojnë një model të përsëritur përplasjesh brenda KLP-së, që shkojnë përtej debatit teknik mbi procedurat.

Në të gjitha rastet, elementi i përbashkët është kalimi nga diskutimi institucional në përplasje të drejtpërdrejta verbale dhe akuzash për kompetenca.

Heshtja institucionale

Pavarësisht natyrës së përsëritur të këtyre përplasjeve, nuk ka pasur reagime publike të detajuara as nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe as nga Prokuroria e Përgjithshme, pjesë e së cilës është prokurori Stojani.

Po ashtu, kërkesa nga “E Vërteta.al”,  drejtuar prokurorit Sokol Stojani, në bazë të ligjit për të drejtën e informimit, nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtyre rasteve.

Sinjale nga ndërkombëtarët

Në këtë kontekst, një tjetër element që merr rëndësi është edhe vëmendja e partnerëve ndërkombëtarë ndaj funksionimit të institucioneve të drejtësisë.

Pak ditë më parë, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, zhvilloi një takim me Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela, të cilit indirekt i tërhoqi veshin për situatën në KLP.

Në njoftimin zyrtar të Ambasadës së BE-së theksohet rëndësia e bashkëpunimit me KLP-në dhe standardet etike:

“Gjatë takimit u rikonfirmua gjithashtu mbështetja për sistemin e prokurorisë në të gjitha nivelet…

Bashkëpunimi i ngushtë me Këshillin e Lartë të Prokurorisë mbetet thelbësor për të garantuar llogaridhënie dhe standarde të larta etike.”

Mesazhi, i lexuar në kontekstin e debateve të përsëritura në KLP, shihet si një sinjal i qartë për rëndësinë e funksionimit institucional dhe standardeve të brendshme të sistemit të drejtësisë.

Në mungesë të transparencës zyrtare dhe qëndrimeve publike nga palët e përfshira, mbeten të hapura pyetjet, nëse këto janë thjesht përplasje procedurale brenda një organi kolegjial, një simptomë e një krize më të thellë të funksionimit institucional në KLP, apo janë në lojë pazare të tjera pas këtij debati, pra kush qëndroin pas dyshes që shahen e pështyhen./ E Vërteta.al

KLP-në po e merr lumi/ Gonzato “forcon drejtësinë” me Olsian Çelën

Sherr në KLP/ Akuza personale, largime nga salla dhe votim me tensione

Tensione në KLP/ Stojani akuzon Bogdanin për tejkalim kompetencash

Sherr në KLP, ndërhyjnë ndërkombëtarët/ Stojani çjerr maskën e kupolës së Prokurorisë

Sherr në KLP/ Akuza personale, largime nga salla dhe votim me tensione

KLP në krizë dhe kaos/ Bogdani merr paga nga të gjitha frontet, pasuria e saj

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat