Ish-deputeti socialist Pandeli Majko ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiç, i cili ka akuzuar dy vende të rajonit për veprimtari të koordinuara hibride me synim destabilizimin e Malit të Zi.
Deklaratat e Spajiçit janë bërë në rrjetin social X, ndërsa media malazeze “Vijesti” raportoi, duke iu referuar burimeve të brendshme, se dy vendet për të cilat ka folur kryeministri malazez janë Shqipëria dhe Serbia.
Majko i cilëson deklaratat shqetësuese dhe kërkon që Podgorica të sqarojë nëse bëhet fjalë për një akuzë zyrtare apo thjesht për deklarata të bëra në rrjetet sociale.
“Komenti i kryeministrit të Malit të Zi Milojko Spajiç, për veprimtari të koordinuara hibride të dy fqinjëve të vendit të tij me synim destabilizimin e vendit janë shqetësuese!”, shkruan Majko.
Sipas tij, edhe më shqetësues është fakti që media “Vijesti” i identifikon këto dy vende si Serbia dhe Shqipëria.
Majko thekson se Shqipëria nuk ka një raport të tillë gjeopolitik me Serbinë që të justifikonte një akuzë për veprimtari të koordinuara kundër një vendi fqinj.
“Aludimet e kryeministrit të Malit të Zi Milojko Spajiç vënë nën akuzë Shqipërinë e cila nuk ka ‘dashuri’ gjeopolitike për Serbinë!”, shprehet ai.
Ish-deputeti socialist ngre pikëpyetje edhe për mënyrën se si janë bërë këto deklarata, duke argumentuar se akuza të tilla, nëse qëndrojnë, duhet të shoqërohen me hapa zyrtarë dhe jo vetëm me reagime në rrjetet sociale.
“Deklarime të tilla janë të çuditshme nëse ato nuk shoqërohen me ‘nota diplomatike’ apo edhe në aplikimin zyrtar të tyre në strukturat e Aleancës së NATO-s!”, shkruan Majko.
Ai kujton gjithashtu se Mali i Zi ka pasur historikisht një politikë të kujdesshme ndaj fqinjëve të tij, për shkak edhe të marrëdhënieve të ndërlikuara mes vendeve të rajonit.
Sipas Majkos, deklaratat e fundit të Spajiçit e vendosin Malin e Zi në një situatë të pazakontë dhe kërkojnë një sqarim nga autoritetet e Podgoricës.
“Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiç ka dalë përtej qëndrimeve historike të shtetit të tij, duke e vendosur atë në udhëkryq!”, shprehet Majko.
Në fund, ish-deputeti socialist kërkon që Mali i Zi të sqarojë nëse është përballë një situate reale sigurie apo nëse deklaratat e kryeministrit kanë qenë thjesht pretendime të paprovuara.
“Mali i Zi duhet të japë shpjegime nëse jemi përballë një skandali rajonal, ku një vend i NATO-s po ‘sulmon’ një anëtar tjetër të kësaj aleance! Në të kundërtën, duhet të pranojë se janë komente emocionale, të paprovuara në rrjetet sociale”, shkruan Majko.
Ai e mbyll reagimin duke theksuar se sqarimi duhet të vijë nga institucionet shtetërore të Malit të Zi, ku Spajiç mban postin e kryeministrit.



