KreuAktualitetEkonomiaKorridori Blu/ Autostrada Milot-Fier merr “dritën jeshile”

Korridori Blu/ Autostrada Milot-Fier merr “dritën jeshile”

Miratimi i projektit të zbatimit për aksin Kashar-Lekaj dhe njoftimi se punimet pritet të nisin brenda këtij viti rikthen në vëmendje ecurinë e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore në vend, autostradën Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian.

Autostrada, e njohur si pjesë e Korridorit Blu, shtrihet në rreth 114 kilometra dhe është ndarë në katër segmente: Milot-Thumanë, Thumanë-Kashar, Kashar-Lekaj dhe Lekaj-Fier.

Nga këto akse, më i avancuari është Thumanë-Kashar, 21 kilometra i gjatë. Punimet në këtë segment kanë përfunduar dhe rruga është tashmë e hapur për qarkullimin e automjeteve.

Ndërkohë, për tre segmentet e tjera janë lidhur kontratat koncesionare me afat 35 vjet.

Segmenti Milot-Thumanë ka një gjatësi prej rreth 13.5 kilometrash dhe do të realizohet nga konsorciumi i kryesuar nga “Gener 2”, e njëjta kompani që ka ndërtuar edhe aksin Thumanë-Kashar. Projekti parashikon ndërhyrje në gjurmën ekzistuese dhe përshtatjen e saj me standardet e kategorisë A.

Një tjetër hap është bërë për segmentin Kashar-Lekaj, ku është miratuar projekti i zbatimit dhe pritet që punimet të nisin brenda vitit. Kontrata është fituar nga një bashkim prej shtatë operatorësh: “Gjoka Konstruksion”, “Junik”, “Cobial”, “Pepa Group”, “UDHA”, “Geoportal” dhe “A&E Engineering”.

Vlera e parashikuar e investimit për këtë segment është rreth 474.9 milionë euro, pa TVSH. E gjithë gjurma e Kashar-Lekaj arrin në rreth 33.6 kilometra, por kontrata koncesionare përfshin 26.6 kilometra. Pjesa tjetër, rreth 7 kilometra, përkon me Bypass-in e Tiranës dhe do të financohet nga buxheti i shtetit.

Në anën tjetër, segmenti Lekaj-Fier, me një gjatësi prej rreth 46 kilometrash, do të ndërtohet nga një bashkim prej tetë operatorësh: “Fusha”, “Agbes Construksion”, “Albavia”, “Kupa”, “Ante-Group”, “Klodioda”, “A.L.T.E.A. & Geostudio 2000” dhe “Sphaera”. Edhe për këtë pjesë është lidhur kontrata koncesionare.

Paralelisht me autostradën Milot-Fier po vijon edhe puna për Bypass-in e Tiranës, i cili në total do të ketë një gjatësi prej rreth 21.6 kilometrash.

Një pjesë prej rreth 7 kilometrash e bypass-it përkon me gjurmën e autostradës Milot-Fier. Aktualisht po punohet në dy fazat e para të projektit, që përfshijnë rreth 8.2 kilometra dhe kanë një vlerë totale kontratash prej rreth 5.9 miliardë lekësh.

Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur edhe tenderin për fazën e tretë të Bypass-it të Tiranës. Fondi limit për këtë fazë është rreth 1.55 miliardë lekë dhe projekti përfshin edhe nyjen që do të lidhë bypass-in me autostradën Tiranë-Durrës.

Me përfundimin gradual të këtyre segmenteve, aksi Milot-Fier pritet të krijojë një lidhje të re dhe më të shpejtë përgjatë bregdetit shqiptar, duke qenë një nga pjesët kryesore të Korridorit Adriatiko-Jonian dhe një prej investimeve më të mëdha infrastrukturore të viteve të fundit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat