Çështja e njohur si “Zvërneci” është regjistruar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për tre vepra penale: “pastrim parash”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “falsifikim dokumentash”.
Në këtë fazë të hetimeve nuk ka persona të marrë zyrtarisht nën hetim, ndërsa procedimi penal po vijon mbi bazën e dyshimeve që lidhen me këto vepra penale dhe me veprimet hetimore që po kryhen nga organi i akuzës.
Sipas materialit të siguruar nga gazetarja Alketa Shaba për ABC News, bëhet fjalë për procedimin penal nr. 410/2026, ku SPAK ka evidentuar, sipas dokumentacionit hetimor, lëvizje dhe transaksione financiare të konsideruara të dyshimta gjatë periudhës nga fundi i vitit 2025 deri përgjatë vitit 2026.
Këto elementë, sipas raportimit, pasqyrohen edhe në një vendim të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, përmes të cilit është lejuar ushtrimi i 10 kontrolleve në funksion të këtij procedimi penal, kërkesë e paraqitur nga SPAK disa ditë më parë.
Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka konfirmuar zyrtarisht se çështja është në hetim.
Nga ana tjetër, sipas informacioneve të raportuara nga ABC News, në kuadër të hetimeve janë vendosur në sekuestro rreth 195 milionë dollarë, shuma që sipas të njëjtave burime pritej t’u transferohej pronarëve të truallit gjatë procedurave të blerjes së tokave përmes zyrave noteriale.
Në materialin e paraqitur në GJKKO, SPAK referon gjithashtu se janë administruar të dhëna lidhur me një sërë vendimesh gjyqësore, përfshirë edhe vendime të Gjykatës së Lartë, të cilat sipas hetuesve kanë sjellë ndryshime në titujt e pronësisë.
Po sipas materialeve hetimore, mbeten ende të hapura konflikte ligjore dhe pretendime mbi sipërfaqe të ndryshme tokash, çka përbën një nga elementët që po verifikohet në kuadër të procedimit penal.
Hetimet vijojnë, ndërsa deri më tani SPAK nuk ka bërë publikë emra personash apo subjektesh që mund të jenë objekt i verifikimeve konkrete në këtë dosje.



