back to top
35.3 C
Tirana
E hënë, 29 Qershor, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaNga ish-pronarët te roli i Berishës/ Çfarë tha Genc Ruli në gjyqin...

Nga ish-pronarët te roli i Berishës/ Çfarë tha Genc Ruli në gjyqin “Partizani”

Ka vijuar këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar seanca për dosjen “Partizani”, ku i pandehur është ish-kryeministri Sali Berisha. Para trupit gjykues dëshmoi ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, i cili u pyet nga SPAK lidhur me procedurat e privatizimit, trajtimin e pronave shtetërore dhe procesin që lidhej me ish-kompleksin sportiv “Partizani”.

Në nisje të dëshmisë së tij, Ruli shpjegoi rolin e Ministrisë së Ekonomisë në proceset e privatizimit, duke theksuar se institucioni që ai drejtonte kishte funksion mbikëqyrës dhe përfaqësonte shtetin si pronar civil.

“Kam qenë ministër i Ekonomisë në vitin 2005. Ministria kishte rol në supervizionimin e proceseve të privatizimit. Ministria e Ekonomisë është përfaqësues i shtetit, pronar civil. Asnjë kontratë që ka të bëjë me pronat shtetërore nuk mund të firmoset veçse nga Ministria e Ekonomisë”, deklaroi ai.

Ruli tha se qeveria e asaj kohe kishte marrë angazhim politik për të favorizuar ish-pronarët gjatë proceseve të privatizimit.

“PD kishte marrë detyrimin se gjatë proceseve të privatizimit do të shiheshin ngushtësisht interesat e ish-pronarëve. Patëm synimin t’i japim një prevalencë parablerjeje ish-pronarëve. Për rastin ‘Partizani’ bëhej fjalë për një pronë të madhe, e njohur pronarëve. Ju ishte njohur e drejta e parablerjes”, tha ai.

Sipas ish-ministrit, përfaqësues të ish-pronarëve kishin shprehur shqetësime për mënyrën se si po ecte procesi.

“Ata po shihnin se privatizimi po bëhej, por pa marrë parasysh interesat e ish-pronarëve. Ka ardhur një përfaqësuese e tyre e më ka takuar. Në vitet 2006-2008 bëmë një sërë ndryshimesh aktesh ligjore e nënligjore. Jam takuar me ish-pronarët, por edhe me pronarët e subjekteve private”, deklaroi Ruli.

Ai u ndal edhe te kontaktet me pronarin e atëhershëm të klubit sportiv, Albert Xhani, për të cilin tha se i kishte bërë të qartë qëndrimin e qeverisë.

“Pronarit të klubit në atë kohë, Albert Xhani, dy herë i kam thënë: e di që e ke nisur procedurën me qeverinë e mëparshme, por kjo do shkojë në favor të ish-pronarëve. Madje i kam thënë që edhe po t’i merrni ju, parcelat e ndërtimit do përfundojnë si shumë terrene të tjera sportive”, u shpreh ai.

Ruli deklaroi se kishte kërkuar inventarizimin e pronave shtetërore nga ministritë përkatëse, ndërsa shtoi se problematikat burokratike shpesh vononin proceset.

“Në tetor të vitit 2005 u kam bërë letër ministrive që të na sjellin inventarin e pronave që kemi si shtet dhe po ashtu informacion nëse kishte interes nga ish-pronarët për t’i marrë ato prona. Mediu ka qenë ndër të parët që është përgjigjur”, tha ai.

Duke folur për vështirësitë e procesit, Ruli pranoi problematikat me regjistrimin e pronave shtetërore.

“Shteti shqiptar nuk i ka të regjistruara as sot pronat e veta. Në ujërat historike që jetuam ATP 20 vjet, kishim kohë të merreshim me këtë histori”, deklaroi ish-ministri.

Pyetjeve të SPAK mbi logjikën e privatizimeve dhe rastin specifik të klubeve sportive, ai iu përgjigj se Ministria e Ekonomisë nuk ishte institucioni që kryente verifikimet në terren.

“Ne nuk ishim kreu i kishës në procesin e privatizimit. Verifikimet i bënin ministritë përkatëse. Ne i besonim dosjes së përcjellë”, tha ai.

Lidhur me ndryshimet ligjore për sportin dhe kufizimet për privatizimin e objekteve sportive, Ruli u shpreh se këto dispozita nuk do të kishin ndalur procesin.

“Ajo është bërë vonë. Duhej të bëhej që në 1995. Hallkë penguese nuk bëhej. Është vetëm hallkë komplikuese. Në atë rast do ja jepnim me koncesion ish-pronarëve”, deklaroi ai.

Në fund të dëshmisë, Ruli mohoi çdo ndërhyrje apo favorizim politik në lidhje me këtë çështje.

“Nuk ka ardhur zoti Malltezi të më takojë dhe të më kërkojë favore në lidhje me privatizimin”, deklaroi ai.

I pyetur nga mbrojtja nëse kishte marrë udhëzime nga ish-kryeministri Sali Berisha, Ruli u përgjigj prerazi:

“Jo, as nga Berisha nuk kam marrë asnjë direktivë në lidhje me këtë çështje”.

Seanca për dosjen “Partizani” vijon me marrjen në pyetje të dëshmitarëve të tjerë të kërkuar nga organi i akuzës dhe palët në proces.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat