Kryeministri Edi Rama është pritur me protestë këtë të hënë në hyrje të Shkodrës, ku pritet të zhvillojë një takim me mbështetësit dhe strukturat socialiste në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste.
Protestues të shoqërisë civile janë mbledhur pranë zonës së Kalasë së Rozafës, aty ku pritet të zhvillohet aktiviteti i kryeministrit me socialistët e qytetit, duke mbajtur pankarta të ngjashme me ato të përdorura në protestat e zhvilluara ditët e fundit në kryeqytet.
Tubimi është zhvilluar në mënyrë paqësore dhe nën praninë e forcave të policisë, të cilat ndodhen në zonë për monitorimin e situatës dhe garantimin e rendit publik.
Kjo shënon ditën e tretë të protestave në Shkodër. Në ditët e mëparshme, aktivistët dhe qytetarët protestuan në qendër të qytetit dhe pranë Bashkisë Shkodër, ndërsa këtë herë vendosën ta zhvendosin tubimin pranë Kalasë së Rozafës, në të njëjtën zonë ku është planifikuar aktiviteti politik i kryeministrit.
Më herët gjatë ditës, avokatja Sabina Meta kishte bërë thirrje publike në rrjetet sociale për pjesëmarrje në tubim, duke kërkuar ruajtjen e qetësisë dhe shmangien e çdo provokimi.
“Kush dëshiron të marrë pjesë në tubim paqësor, është i ftuar të bashkohet. Ju lutem të tregoni maturi e të mos bini pre e provokimeve. Vendi ku do zhvillohet tubimi është tek ish-karburanti përballë me kalanë. Nuk do të bllokohen trotuaret, as qarkullimi, as rrugët. Është i njëjti tubim paqësor jo politik”, është shprehur Meta në njoftimin e saj.
Protestat kundër qeverisë dhe projekteve të kundërshtuara në zona të ndryshme të vendit kanë vijuar prej ditësh, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vazhdimin e mobilizimeve edhe në qytete të tjera.



