Fenomeni i patronazhimit është rikthyer në qendër të debatit politik gjatë mbledhjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore, ku deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, kërkoi sqarime nga drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, lidhur me hetimet mbi këtë sistem, të cilin opozita e konsideron një mekanizëm të përdorur për manipulimin e votës.
Gjatë diskutimeve, Vokshi ngriti shqetësimin për përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve dhe kërkoi të dijë nëse SPAK ka nisur apo do të nisë hetime për patronazhimin dhe për institucionet që lidhen me administrimin e të dhënave.
“Vitet e fundit më rezulton se është fenomeni më negativ, para zgjedhjeve, gjatë ditës së zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, fenomeni i patronazhimit. Në shkelje të Kushtetutës, janë vjedhur, shpërdoruar, abuzuar të dhënat personale të çdo votuesi. Pyetja që kam unë është a keni bërë ju ndonjë hetim kryesisht në lidhje me këtë fenomen. Çdo qytetar shqiptar është i survejuar. Janë truma, shihen përballë çdo qendre votimi. Është krim elektoral. A keni bërë ju ndonjë hetim për këtë? A do hetoni sistemin e patronazhimit, a do hetoni AKSHI-n?”, pyeti Vokshi.
Në përgjigjen e tij, Klodian Braho sqaroi se patronazhimi, si koncept, nuk parashikohet si vepër penale në Kodin Penal dhe për rrjedhojë nuk përbën objekt hetimi për SPAK-un.
“Në Kodin Penal nuk ka një vepër penale që të ndëshkojë penalisht patronazhimin dhe aq më tepër të jetë kompetencë e SPAK. SPAK ka dy vepra penale, korrupsionin aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Nëse një funksionar ka shpërdoruar detyrën, nëse një person ka nxjerrë të dhëna personale, është vepër tjetër penale që nuk është kompetencë e SPAK, por e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm”, deklaroi Braho.
Debati për patronazhimin ka qenë një nga çështjet më të diskutuara në politikën shqiptare vitet e fundit, me opozitën që e konsideron një mekanizëm ndikimi dhe kontrolli elektoral, ndërsa institucionet e drejtësisë kanë argumentuar se çdo shkelje e mundshme duhet të trajtohet sipas kompetencave të përcaktuara në ligj.



