back to top
29.5 C
Tirana
E hënë, 1 Qershor, 2026
spot_img
KreuDrejtësia"Policia u shfaq e fjetur dhe jo profesionale”/ Hita flet për incidentin...

“Policia u shfaq e fjetur dhe jo profesionale”/ Hita flet për incidentin në Zvërnec

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si efektivët e Policisë së Vlorës vepruan gjatë incidentit të ndodhur në protestën e Zvërnecit, ku një qytetar u dhunua dhe u mor me forcë nga punonjës të sigurisë private.

Gjatë një konference për mediat, Hita deklaroi se sjellja e policisë në vendngjarje nuk ishte në nivelin e standardeve që kërkon institucioni, duke e cilësuar reagimin e uniformave blu si të papërshtatshëm dhe joprofesional.

“Policia u shfaq e fjetur dhe jo profesionale”, u shpreh kreu i Policisë së Shtetit.

Sipas tij, ngjarja është trajtuar menjëherë pas publikimit të pamjeve dhe Policia e Shtetit ka nisur procedurat përkatëse hetimore dhe administrative për të sqaruar përgjegjësitë.

“Policia e Shtetit ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar standardet e duhura. Në orët e para pas ngjarjes u nisën procese hetimore dhe administrative dhe sot prezantova drejtuesin e ri në Vlorë”, deklaroi Hita.

Deklarata e tij vjen pak ditë pasi Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit pezulloi nga detyra ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Elidon Çela, pas polemikave që pasuan incidentin në Zvërnec dhe raportimin fillestar të ngjarjes nga policia lokale.

Ngjarja shkaktoi reagime të forta publike dhe politike, pasi pamjet filmike treguan momentin kur një protestues u tërhoq zvarrë nga punonjës të sigurisë private, ndërsa efektivët e Policisë së Shtetit ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.

Pas verifikimeve, Policia e Shtetit kërkoi ndjesë publike për komunikimin fillestar të Policisë së Vlorës dhe ndërmori masa administrative ndaj drejtuesve lokalë, ndërsa emëroi Edvin Ndreun në krye të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.

Me deklaratat e tij, Hita sinjalizoi se institucioni do të kërkojë llogari për mosveprimin e efektivëve në terren dhe se ngjarje të tilla nuk mund të kalojnë pa përgjegjësi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat