KreuAktualitetBotaFranca akuzon Rusinë për sulme kibernetike në Europë/ Thërret ambasadorin dhe vendos...

Franca akuzon Rusinë për sulme kibernetike në Europë/ Thërret ambasadorin dhe vendos sanksione

Franca do të thërrasë ambasadorin rus në Paris për t’i kërkuar shpjegime lidhur me atë që autoritetet franceze e cilësojnë si një fushatë të gjerë sulmesh kibernetike të organizuara nga Moska për qëllime sabotimi dhe spiunazhi.

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi se Franca do të vendosë gjithashtu sanksione ndaj nëntë individëve dhe katër subjekteve, të cilat, sipas tij, janë të përfshira në një operacion të koordinuar nga shërbimi rus i sigurisë FSB.

Sipas Barrot, sulmet kibernetike kanë prekur 10 vende europiane, përfshirë edhe Francën. Objektivat, sipas tij, kanë qenë institucione qeveritare, kompani private dhe operatorë të shërbimeve publike.

Ministri francez tha se qëllimi i sulmeve ka qenë marrja e informacioneve të ndjeshme dhe dëmtimi i infrastrukturave kritike, duke përmendur si shembull tentativat për goditje ndaj rrjetit hekurudhor në Poloni.

“Ne kemi identifikuar këto sulme falë forcimit të ndjeshëm të kapaciteteve tona të mbrojtjes kibernetike”, u shpreh Barrot, duke theksuar se Franca dhe partnerët europianë po rrisin masat mbrojtëse ndaj kërcënimeve kibernetike.

Akuzat e Parisit vijnë në një kohë tensionesh të larta mes vendeve europiane dhe Rusisë, ndërsa sulmet kibernetike janë kthyer në një nga frontet kryesore të përplasjes mes Moskës dhe Perëndimit.

Rusia nuk ka reaguar ende ndaj deklaratave të autoriteteve franceze.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat