Projektet për krijimin e parqeve industriale dhe zonave të lira ekonomike në Vlorë kanë rikthyer vëmendjen te një prej shoqërive të para të krijuara me këtë objekt veprimtarie, “Idea Vlora”.
Sipas të dhënave të regjistruara në dokumentet publike të biznesit Open Corporates Albania, shoqëria “Idea Vlora” është themeluar në vitin 2008 me synimin për të investuar në zhvillimin e parqeve industriale, zonave të lira ekonomike dhe projekteve të ngjashme.
Kompania, me kapital fillestar prej 10 milionë lekësh, zotërohet nga tetë ortakë, ku secili prej tyre ka nga 12.5% të kapitalit. Tre prej ortakëve janë individë, ndërsa pesë janë shoqëri tregtare.
Megjithatë, që prej vitit 2021, “Idea Vlora” rezulton me statusin “Pezulluar”.
Rikthimi i debatit për zonat e lira ekonomike vjen pas vendimeve të fundit të qeverisë shqiptare për zhvillimin e parqeve industriale në vend. Në territorin e Bashkisë Vlorë është miratuar ngritja e një parku industrial, një projekt që parashikon krijimin e një zone me lehtësi fiskale dhe administrative për bizneset.
Sipas të dhënave të bëra publike, pjesa kryesore e sipërfaqes së parashikuar për këtë park industrial i është dhënë një kompanie në pronësi të shtetasve turq.
Projektet për parqe industriale dhe zona të lira ekonomike synojnë të tërheqin investime, të krijojnë vende pune dhe të nxisin zhvillimin ekonomik përmes lehtësive fiskale dhe procedurave të thjeshtuara për bizneset.
Megjithatë, vendimet për ndarjen e hapësirave dhe përzgjedhjen e operatorëve kanë sjellë interes publik për mënyrën e administrimit të këtyre zonave dhe përfituesit e tyre.



