KreuDrejtësiaFatime Kryemadhi nuk justifikon qindra mijëra euro e dollarë/ SPAK: Deklaratat noteriale...

Fatime Kryemadhi nuk justifikon qindra mijëra euro e dollarë/ SPAK: Deklaratat noteriale u bënë pas hetimit

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) është zhvilluar seanca e radhës për fraksionin e dosjes “Meta”, ku të pandehur janë Fatime Kryemadhi, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho.

Gjatë seancës, Prokuroria e Posaçme (SPAK) paraqiti konkluzionet përfundimtare, duke pretenduar se janë konstatuar burime të pajustifikuara financiare dhe përdorim i deklaratave noteriale për të justifikuar pasuri dhe transaksione.

Sipas organit të akuzës, Fatime Kryemadhi nuk ka justifikuar rreth 98 mijë euro, 246 mijë dollarë dhe 100 mijë euro të deklaruara si burim për shlyerjen e kredive. Prokuroria pretendon gjithashtu se ka identifikuar edhe rreth 310 mijë euro të tjera me burim të pajustifikuar.

SPAK argumenton se për blerjen e disa apartamenteve janë marrë kredi bankare, por këto janë shlyer me pagesa në para në dorë, pa u provuar burimi i ligjshëm i fondeve. Sipas prokurorisë, deklaratat noteriale të paraqitura për të justifikuar këto shuma janë hartuar pasi Fatime Kryemadhi ishte marrë në pyetje nga hetuesit.

Prokuroria ngriti dyshime edhe mbi personat që pretendohet se i kanë dhënë hua Kryemadhit. Sipas SPAK, nga verifikimet nuk rezulton që këta persona të kenë deklaruar në pikat kufitare shuma monetare që përputhen me vlerat e pretenduara si hua.

Në konkluzionet përfundimtare është trajtuar edhe roli i Ema Çokut. Sipas SPAK, komunikimet e shpeshta dhe transaksionet bankare tregojnë marrëdhënien e saj të afërt me Monika Kryemadhin.

Prokuroria pretendon se Ema Çoku ka paraqitur deklarata noteriale ku thuhet se i ka dhënë Fatime Kryemadhit rreth 240 mijë euro. Po ashtu, sipas SPAK, kompania e saj ka kryer pagesa për hotele të shtetasve të huaj që kishin ardhur në Shqipëri për aktivitete në mbështetje të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Lëvizjes Rinore për Integrim.

Sipas organit të akuzës, Ema Çoku nuk kishte mundësi financiare të dokumentuar për të kryer këto financime, pasi rezultonte debitore ndaj bankave për kredi në vlera të konsiderueshme.

SPAK pretendon se deklaratat noteriale të Çokut janë përdorur për të justifikuar veprime financiare të personave të tjerë të përfshirë në procedim.

Procesi gjyqësor tashmë ndodhet në fazën e konkluzioneve përfundimtare, ndërsa pritet që, pas përfundimit të mbrojtjes së të pandehurve, GJKKO të shpallë vendimin.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat