Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit ka ngritur shqetësimin për situatën e punonjësve të nivelit zbatues, duke pretenduar se qindra prej tyre po përballen me barriera që u pengojnë avancimin në karrierë.
Në një reagim të publikuar së fundmi, Sindikata thotë se ka marrë qindra ankesa nga punonjës policie në terren dhe e cilëson situatën si “të paprecedentë dhe diskriminuese”.
Në qendër të shqetësimit është e drejta e punonjësve të patrullës për të aplikuar në Akademinë e Sigurisë për t’u graduar “Nënkomisar”, pra për të kaluar në nivelin e oficerit të policisë.
Sipas Sindikatës, një numër i madh punonjësish janë përjashtuar nga mundësia për të konkurruar për shkak të kritereve që lidhen me moshën dhe mesataren e shkollës së mesme.
Në reagim është publikuar edhe ankesa e një inspektori policie, 34 vjeç, i cili shprehet:
“U pranuam, përfunduam shkollën, bëmë vite punë në terren dhe tani na thonë se do të ‘vdesim policë’ sepse nuk kemi të drejtën të aplikojmë për gradë pasi jemi mbi 30 vjeç dhe nuk kemi mesataren e gjimnazit 6.5. Ndërkohë, individë nga jashtë me mastera të dyshimtë vijnë dhe na japin urdhra pa ditur as të shkruajnë rregullisht…”
Sindikata argumenton se dy prej pengesave kryesore janë kufiri i moshës 30 vjeç dhe kërkesa për mesataren 6.5 në gjimnaz.
Kufiri i moshës 30 vjeç
Sipas Sindikatës, një punonjës policie aktiv në moshën 34-vjeçare mund të jetë në një fazë të mirë të përgatitjes së tij fizike dhe profesionale.
Në reagim argumentohet se për një oficer policie rëndësi kanë edhe përvoja, maturimi dhe aftësia për të menaxhuar situata të ndryshme në terren.
Sindikata pretendon se aftësitë fizike duhet të vlerësohen përmes testimeve individuale dhe jo përmes një kufiri të përcaktuar vetëm nga mosha.
“Përjashtimi i tyre vetëm për shkak të moshës është një shkelje flagrante e të drejtave dhe thellon rrezikun e diskriminimit strukturor”, thuhet në reagim.
Mesatarja 6.5 e gjimnazit
Një tjetër pikë që kundërshton Sindikata është kriteri i mesatares 6.5 të shkollës së mesme.
Sindikata pranon se Akademia e Sigurisë funksionon si institucion i arsimit të lartë dhe i nënshtrohet legjislacionit për arsimin e lartë. Megjithatë, ajo argumenton se për punonjësit aktivë të Policisë së Shtetit duhet të merret në konsideratë edhe përvoja profesionale.
Në reagim krahasohet kjo situatë me përjashtimet e bëra për Universitetin e Arteve dhe Universitetin e Sporteve, duke argumentuar se edhe për policët duhet të ketë një vlerësim të aftësive specifike profesionale.
Sipas Sindikatës, një rezultat i marrë në lëndë të gjimnazit shumë vite më parë nuk duhet të përcaktojë të ardhmen profesionale të një punonjësi që sot ka përvojë dhe rezultate në terren.
“Një notë e marrë në biologji apo kimi para 15 vitesh nuk mund të shkatërrojë karrierën e një polici të zotë sot”, thuhet në reagim.
Rruga drejt gradës “Nënkomisar”
Sindikata e sheh si problem veçanërisht të rëndësishëm pamundësinë e një pjese të punonjësve për të kaluar nga niveli zbatues në nivelin taktik apo drejtues.
Sipas saj, për të marrë gradën “Nënkomisar”, punonjësit duhet të ndjekin Fakultetin për Siguri dhe Hetim pranë Akademisë së Sigurisë.
Sindikata argumenton se, megjithëse pas tre vitesh përvojë në terren punonjësit fitojnë të drejtën për të konkurruar për ngritje në detyrë, rruga e tyre mund të bllokohet nga kriteri i mesatares 6.5 të gjimnazit.
Sipas reagimit, kjo krijon një situatë ku punonjës me përvojë mbeten në nivelin zbatues dhe nuk kanë mundësi të avancojnë profesionalisht.
Sindikata paralajmëron se një situatë e tillë mund të ndikojë edhe në motivimin e punonjësve dhe të krijojë atë që e përshkruan si “burnout” në radhët e Policisë.
Sindikata: Mbi 300 punonjës largohen çdo vit
Një tjetër shqetësim lidhet me largimet nga Policia e Shtetit. Sindikata pretendon se çdo vit më shumë se 300 punonjës largohen nga radhët e Policisë dhe e lidh këtë, ndër të tjera, me mungesën e perspektivës për zhvillimin e karrierës.
Sipas saj, kjo krijon edhe një kosto për shtetin, pasi investimi për trajnimin dhe përgatitjen e punonjësve humbet kur ata largohen pas disa vitesh.
Katër kërkesat e Sindikatës
Përballë kësaj situate, Sindikata e Punonjësve të Policisë së Shtetit i drejton kërkesat e saj Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Arsimit.
Kërkesa e parë është heqja e kufirit të moshës 30 vjeç për aplikimet e punonjësve aktivë të Policisë së Shtetit në Akademinë e Sigurisë.
Së dyti, Sindikata kërkon ndryshimin e kriterit të mesatares, duke propozuar një përjashtim për punonjësit me më shumë se tre vite përvojë dhe zëvendësimin e kriterit të mesatares 6.5 me provime pranimi të brendshme dhe vlerësim të performancës operacionale.
Kërkesa e tretë është krijimi i programeve “Ura Kalimi”, për t’u dhënë punonjësve mundësi alternative kualifikimi dhe avancimi pa u penalizuar nga sistemi klasik i arsimit të lartë.
Në fund, Sindikata kërkon zhbllokimin e sistemit të karrierës dhe lejimin e ngritjes në gradë, duke kërkuar një proces të hapur dhe të drejtë për kalimin nga niveli zbatues në atë taktik dhe drejtues, përfshirë gradën “Nënkomisar” e më lart.
Sipas Sindikatës, avancimi duhet të bazohet te meritokracia, përvoja në terren dhe rezultatet në punë, dhe jo te ato që i konsideron “pengesa artificiale burokratike”.
“Asnjë punonjës i aftë nuk duhet të mbetet i ngrirë në karrierë”, përfundon reagimi i Sindikatës.



