KreuAktualitetBotaAlarmi iranian sjell lëvizje në Greqi/ Athina forcon Qipron dhe shqyrton ndihmën...

Alarmi iranian sjell lëvizje në Greqi/ Athina forcon Qipron dhe shqyrton ndihmën për Bullgarinë

Në krahun lindor të NATO-s është ngritur alarmi pas raportimeve se Irani po shqyrton mundësinë e goditjes së bazave amerikane në Europë, në rast se konflikti në Lindjen e Mesme përshkallëzohet.

Sipas një raportimi të Financial Times, Teherani ka kapacitetet për të goditur objektiva amerikane dhe të NATO-s në Europë, ndërsa në fokus përmenden veçanërisht Qiproja dhe Bullgaria.

Skenari që po shqyrtohet nga autoritetet iraniane lidhet me mundësinë që Shtetet e Bashkuara të zgjerojnë operacionet ushtarake. Në këtë rast, Irani mund të tentojë ta zhvendosë përplasjen përtej Lindjes së Mesme, duke goditur objektiva amerikane në Europën Juglindore.

NATO ka reaguar ndaj këtyre raportimeve. Një zëdhënës i Aleancës i tha CNN se NATO është e gatshme të përballet me çdo kërcënim dhe të mbrojë anëtarët e saj.

Por skenarët e hakmarrjes iraniane nuk kufizohen vetëm te sulmet ndaj bazave ushtarake. Në vlerësimet e raportuara përfshihet edhe mundësia e sabotimit të infrastrukturës kritike, përfshirë kabllot nënujore të komunikimit dhe fibrat optike në zonën e Ngushticës së Hormuzit.

Garda Revolucionare iraniane ka paralajmëruar se, në rast të një konflikti të ri, Teherani mund të ndryshojë mënyrën e reagimit dhe të mos e kufizojë më përplasjen vetëm në Lindjen e Mesme.

Një incident i muajit të kaluar ka rritur shqetësimin në rajon. Një dron iranian shënjestroi bazën britanike të Akrotirit në Qipro, duke detyruar Greqinë të aktivizojë një pjesë të kapaciteteve të saj ushtarake.

Athina dërgoi avionë luftarakë F-16, fregata, përfshirë “Kimon”, si dhe vendosi sisteme Patriot në gatishmëri. Ky reagim shihet si një tregues i masave që mund të ndërmerren në rast të një përshkallëzimi të mëtejshëm.

Ndërkohë, burime nga Ministria greke e Mbrojtjes bëjnë me dije se po shqyrtohet mundësia e zhvendosjes së një baterie Patriot nga Karpathosi drejt bazës së Sudës, nëse situata në rajon përkeqësohet.

Greqia po analizon gjithashtu mundësinë për të ndihmuar Bullgarinë me një sistem Patriot, me qëllim forcimin e mbrojtjes kundërajrore dhe antibalistike. Një vendim i tillë do të merrej në rast të një kërkese nga Sofja dhe pas miratimit nga autoritetet greke.

Për forcimin e sigurisë së Qipros, në rajon janë vendosur katër avionë luftarakë F-16 të Forcave Ajrore Greke, ndërsa Marina greke ka mbajtur në zonë edhe fregatën “Nikiforos Fokas”.

NATO ndërkohë ka përsëritur se është e gatshme të përballet me kërcënimet që mund të vijnë nga Irani. Aleanca ka kujtuar se gjatë këtij viti sistemet e saj të mbrojtjes kanë interceptuar katër raketa balistike iraniane të drejtuara drejt Turqisë.

“Qëndrimi ynë parandalues dhe mbrojtës është i fortë dhe efektiv”, deklaroi një zyrtar i NATO-s për CNN.

Nëse konflikti mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara zgjerohet, shqetësimi kryesor për NATO-n është që bazat amerikane në Europën Juglindore të kthehen në objektiva të drejtpërdrejta dhe të hapet një front i ri jashtë Lindjes së Mesme.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat