Avokati i Ergys Agasit, Maksim Haxhia, ka folur për mediat pas takimit me klientin e tij, i cili mbahet i izoluar në Bllokun e Sigurisë në Tiranë, në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.
Haxhia tha se takimi i sotëm shërbeu për përgatitjen e seancës së afërt, ku pritet të shqyrtohet masa e sigurisë ndaj Agasit. Sipas avokatit, mbrojtja ende nuk është njohur me dosjen e hetimit, pavarësisht kërkesave të bëra.
“Ky është një takim i parë për t’u përgatitur për procesin që është në ditët e afërta lidhur me verifikimin e masës dhe kushteve të masës së sigurimit. Kuptohet që ne duam dosjen, sepse është e turpshme që edhe pas kaq kohësh, edhe pse e kemi kërkuar, edhe pse i jemi drejtuar ILD-së që na është mohuar një e drejtë, kjo nuk ka ndodhur”, deklaroi Haxhia.
Avokati theksoi se pa pasur akses në materialet e hetimit, mbrojtja nuk mund të paraqesë argumentet e saj përpara gjykatës.
“Pa dosjen nuk ngremë dot pretendimet”, u shpreh ai.
Sa i përket akuzave ndaj klientit të tij, Haxhia tha se Agasi i kundërshton ato dhe pretendon se nuk ka pasur rol në menaxhimin e financave publike dhe as në procedurat e tenderimit.
“I mbrojturi prej meje, z. Agasi, pretendon se është jashtë çdo ngarkese juridike, pasi ai pretendon dhe kjo është një fakt se nuk ka prekur financat publike, pasi nuk ka mbajtur asnjëherë funksione të autoriteteve që menaxhojnë financat publike, nuk ka marrë pjesë as në tendera”, tha avokati.
Haxhia kritikoi gjithashtu mënyrën se si është pasqyruar çështja në media, duke pretenduar se roli i klientit të tij është ekzagjeruar në raport me akuzat e ngritura nga SPAK.
Sipas tij, problem mbetet edhe praktika e vendosjes së masave të sigurimit përpara përfundimit të hetimeve.
“Është një praktikë e vendosur tashmë që ata të fusin në burg dhe pastaj të bëjnë hetimet, ndërkohë që duhet të ndodhë e kundërta. Të bëjnë hetimet, të mbledhin provat dhe pastaj t’i drejtohen gjykatës që, në proporcion me veprat penale, me provat dhe rrezikshmërinë e personit, të kërkojnë masë të përshtatshme”, deklaroi Maksim Haxhia.
Ergys Agasi është një nga personat e përfshirë në hetimet e SPAK për dosjen e AKSHI-t. Pretendimet e bëra nga mbrojtja pritet të paraqiten dhe të shqyrtohen në seancën gjyqësore për masën e sigurisë.



