Arrestimi i Ergys Agasit u shoqërua jo vetëm me njoftimin zyrtar të Policisë, por edhe me një seri fotosh dhe videosh që e shfaqnin atë në momentin e arrestimit, me pranga në duar, në automjetin e policisë dhe më pas brenda ambienteve të Policisë së Tiranës.
Pamjet u publikuan dhe u shpërndanë me shpejtësi, duke e kthyer arrestimin në një ngjarje mediatike më vete.
Por përtej akuzave të rënda që rëndojnë ndaj tij dhe përtej interesit publik për një person të shpallur në kërkim nga SPAK, ngrihet një pyetje që nuk lidhet me fajësinë apo pafajësinë e Ergys Agasit.
A ka të drejtë Policia ta ekspozojë publikisht një person të arrestuar në këtë mënyrë?
Fakti që një person arrestohet nuk do të thotë se ai është shpallur fajtor. Fajësia përcaktohet nga gjykata dhe jo nga Policia, Prokuroria apo opinioni publik.
Pikërisht këtu qëndron edhe problemi i prezumimit të pafajësisë. Një person mund të jetë i dyshuar, mund të jetë shpallur në kërkim, mund të arrestohet dhe madje të akuzohet për vepra shumë të rënda, por deri në një vendim përfundimtar gjyqësor ai nuk mund të trajtohet publikisht sikur është tashmë fajtor.
Në rastin e Agasit, Policia publikoi pamje të operacionit të arrestimit, ku ai shfaqet i rrethuar nga efektivët dhe me pranga në duar. Më pas u publikuan edhe pamje të tij brenda ambienteve të policisë.
Transparenca e policisë është e nevojshme. Publiku ka të drejtë të informohet për operacionet e rëndësishme, sidomos kur bëhet fjalë për persona të kërkuar dhe për hetime me interes të lartë publik.
Por transparenca nuk është e njëjtë me ekspozimin.
Pyetja është nëse çdo fotografi apo video e një personi të arrestuar është realisht e nevojshme për informimin e publikut. Apo në një moment të caktuar publikimi i pamjeve shndërrohet nga informacion mbi një operacion policor në një lloj “show” publik me personin në pranga?
Pra, çështja nuk është nëse Ergys Agasi duhet të përballet me drejtësinë. Nëse ndaj tij ka prova dhe akuza, këtë do ta përcaktojë sistemi i drejtësisë.
Çështja është tjetër. A duhet një person, vetëm sepse është arrestuar, të ekspozohet publikisht në çdo moment të operacionit, me pranga, në makinë, në komisariat apo në ambiente të tjera të policisë?
Dhe mbi të gjitha, kush vendos se cila pamje është e nevojshme për interesin publik dhe cila është thjesht ekspozim?
Në një shtet të së drejtës, lufta kundër krimit nuk mund të matet me numrin e fotove të publikuara nga arrestimet. Suksesi i policisë matet me hetimin, provat, arrestimin e personave të kërkuar dhe çuarjen e çështjes deri në fund përpara gjykatës.
Sepse edhe kur akuzat janë të rënda, prangat nuk janë vendim gjykate.
Dhe pikërisht për këtë arsye, çdo institucion që zbaton ligjin duhet të jetë i pari që respekton kufijtë që ligji vendos mbi të./ Etleva Skonja



