KreuAktualitetEkonomiaTatimet nisin “gjuetinë” në Booking/ 100 individë dhe biznese në kontroll për...

Tatimet nisin “gjuetinë” në Booking/ 100 individë dhe biznese në kontroll për 24.9 mln euro

Administrata Tatimore ka nisur kontrollet ndaj individëve dhe bizneseve që japin ambiente me qira afatshkurtër përmes platformës “Booking.com”, në kuadër të planit operacional për sezonin turistik.

Pas përfundimit të fazës së informimit, Tatimet kanë përzgjedhur 100 tatimpagues, individë dhe subjekte, të cilët rezultojnë se kanë realizuar të ardhura përmes platformës gjatë periudhës tetor 2022 – dhjetor 2025.

Sipas të dhënave të administratës tatimore, këta 100 tatimpagues kanë realizuar në total rreth 24.9 milionë euro të ardhura përmes “Booking.com”.

Kontrollet do të kryhen nga Drejtoria e Hetimit dhe Drejtoritë Rajonale të Tatimeve. Fokusi do të jetë te verifikimi nëse të ardhurat e siguruara nga aktiviteti i akomodimit janë deklaruar dhe trajtuar në përputhje me detyrimet ligjore.

Administrata Tatimore u ka bërë thirrje individëve dhe subjekteve që ushtrojnë këtë aktivitet përmes platformave online të deklarojnë në mënyrë të saktë të ardhurat, duke paralajmëruar se mosdeklarimi mund të sjellë pasoja administrative dhe, në rastet e parashikuara nga ligji, edhe penale.

Por shifrat e aktivitetit përmes “Booking” janë shumë më të mëdha. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, gjatë periudhës janar-shtator 2025, hotelet dhe individët shqiptarë kanë realizuar rreth 80.1 milionë euro të ardhura nga rezervimet e akomodimeve përmes platformës.

Administrata Tatimore thotë se disponon të dhëna mbi rezervimet dhe shitjet e realizuara përmes “Booking.com”. Në sistem rezultojnë të regjistruar 17,225 biznese dhe individë që kanë realizuar shitje të shërbimeve të akomodimit përmes kësaj platforme.

Ndërkohë, vetëm komisionet e paguara nga qytetarët dhe bizneset shqiptare për platformën gjatë kësaj periudhe llogariten në rreth 12.8 milionë euro.

Kontrollet ndaj aktivitetit të akomodimit përmes platformave online nuk janë një nismë e re. Gjatë vitit të kaluar, administrata tatimore shqiptare ka nisur bashkëpunim me administratën tatimore irlandeze për të hetuar individët që përfitojnë të ardhura nga “Booking” dhe “Airbnb” dhe dyshohet se nuk i deklarojnë ato.

Në fokus të administratës është pikërisht hendeku mes të ardhurave që gjenerohen përmes platformave online dhe atyre që deklarohen zyrtarisht për qëllime tatimore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat