KreuAktualitetPolitika“Titulli është fabrikuar si armë, akuza është fryrë”/ Me kë e ka...

“Titulli është fabrikuar si armë, akuza është fryrë”/ Me kë e ka Rama?

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një tekst të gjatë, për të cilin sqaron se nuk është shkruar prej tij, por se është një nga ato shkrime që do të dëshironte t’i kishte shkruar vetë.

“Rreshtat më poshtë nuk i kam shkruar unë, po është një nga ato raste kur njeriu thotë: Ah, sikur t’i kisha shkruar vetë…”, shkruan Rama, duke u bërë thirrje ndjekësve ta lexojnë.

Teksti nis me një kritikë të ashpër ndaj mënyrës se si është kthyer hapësira publike, ku autori e përshkruan atë si një “sistem kanalesh të ujërave të zeza”.

“Kjo është një industri llumi, e ngritur mbi shtrembërimin, poshtërimin, panikun dhe tërbimin”, thuhet në tekst.

Sipas autorit, kjo industri mbështetet te krijimi i armiqve, nxitja e zemërimit dhe përdorimi i reagimeve të forta për të tërhequr vëmendjen e publikut.

Në tekst kritikohen edhe titujt dhe videot që, sipas autorit, përdoren në mënyrë manipuluese.

“Fragmenti i videos është prerë për të mashtruar, titulli është fabrikuar si armë, akuza është fryrë, zemërimi është inskenuar”, thuhet në një prej pasazheve.

Autori pretendon se në shumë raste faktet shtrembërohen për të prodhuar reagime të forta, ndërsa një akuzë mund të marrë përmasa shumë më të mëdha se informacioni mbi të cilin është mbështetur.

“Një mospajtim nuk lejohet më të mbetet thjesht një mospajtim”, thuhet më tej në tekst.

Sipas tij, çdo përplasje shoqërohet me etiketime të forta, ku dikush duhet të cilësohet si “i korruptuar, i paaftë, mashtrues, i kapur ose pjesë e ndonjë konspiracioni”.

Teksti kritikon edhe publikun që, sipas autorit, konsumon dhe shpërndan këto përmbajtje edhe kur e kupton se ato mund të jenë të manipuluara.

“Ama u pëlqen, thjesht u shijon tërë spektakli që prodhon gënjeshtra”, thuhet në shkrim.

Një pjesë e veçantë i kushtohet mënyrës se si trajtohen zyrtarët dhe nëpunësit publikë.

“Zyrtarët dhe nëpunësit publikë trajtohen në mënyra që do të ishin të papranueshme pothuajse kudo e kurdoherë tjetër”, thuhet në tekst.

Autori kundërshton atë që e konsideron si normalizim të sulmeve dhe poshtërimit të individëve në emër të vëmendjes dhe klikimeve.

“Kjo është ajo që duhet t’i neveritë njerëzit. Jo mospajtimi, por oreksi për të parë dikë të keqtrajtohet dhe prapëseprapë për ta shpërndarë gënjeshtrën për të”, vijon teksti.

Në një tjetër pjesë, kritika shkon ndaj atyre që, sipas autorit, e kanë kthyer zemërimin në mënyrë komunikimi.

“Shumë njerëz nuk kanë më bindje politike, po kanë vetëm një varësi toksike”, thuhet në shkrim.

Teksti vijon duke përmendur “zemërimin e radhës”, “zuzarin e radhës”, “videon e radhës” dhe “justifikimin e radhës” si pjesë të një cikli që ushqen konfliktin.

Në fund, autori e lidh këtë mënyrë veprimi me politikën dhe mënyrën se si ndërtohet ndikimi mbi publikun.

“Nëse politika e tyre ka nevojë për gënjeshtra që të marrë frymë, ajo meriton të mbytet”, thuhet në tekst.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat