Një deklaratë e hedhur në Facebook, një video e shkurtër në Instagram apo TikTok dhe pak minuta më vonë i njëjti mesazh shfaqet në dhjetëra portale. Në politikën shqiptare, rrjetet sociale nuk janë më vetëm një vend ku politikanët publikojnë qëndrimet e tyre.
Ato janë kthyer në një pjesë të rëndësishme të mënyrës se si një ngjarje prezantohet, interpretohet dhe më pas diskutohet nga publiku.
Shembulli më i fundit është përplasja politike rreth protestave të muajve të fundit.
Përplasja për protestat
Më 18 qershor, kryeministri Edi Rama reagoi në rrjetet sociale për protestën, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me mënyrën se si funksionojnë algoritmet e platformave. “Sheshi i protestës” sipas Ramës nuk ishte më vetëm hapësira fizike ku mblidheshin qytetarët, por edhe studioja televizive dhe përmbajtja që prodhohej për t’u shpërndarë online. Rama akuzoi gjithashtu aktorë politikë se po përpiqeshin ta instrumentalizonin protestën përmes dezinformimit dhe teorive konspirative.
Deklarata nuk mbeti vetëm pjesë e një fjalimi politik. Ajo u kthye në tituj lajmesh, postime dhe materiale video, duke e zhvendosur një pjesë të debatit nga përmbajtja e protestës te mënyra se si ajo po komunikohej në internet.
Pak ditë më vonë, edhe vetë Partia Socialiste e trajtoi komunikimin online si një element të rëndësishëm të përballjes politike. Në një takim me drejtuesit politikë dhe ministrat, Rama kërkoi më shumë aktivitet në rrjetet sociale, por njëkohësisht kërkoi që deputetët të ishin më të pranishëm në terren. U raportua se në mbledhje u fol edhe për atë që u cilësua si “luftë hibride përmes rrjeteve online” e lidhur me protestat.
Për të njëjtën ngjarje politike funksionuan dy kanale komunikimi. E para protesta në rrugë dhe e dyta protesta si përmbajtje për rrjetet sociale.
Nga protesta në Facebook te akuza për “censurë”
Në fillim të shtatorit, debati mori një tjetër drejtim. Sali Berisha, kreu i PD, reagoi pas raportimeve për bllokimin e rreth 200 llogarive në rrjetet sociale që, sipas tij, lidheshin me protestues dhe portale që kishin mbështetur protestën.
Berisha e cilësoi këtë si “censurë” dhe akuzoi Ramën se po përpiqej të ndalte përhapjen e protestës në internet. “Rama në panik urdhëron censurën”, ishte mesazhi me të cilin kreu i PD-së e ndërtoi reagimin e tij. Sipas Berishës, protesta kishte dominuar algoritmet e rrjeteve sociale dhe për këtë arsye qeveria po përpiqej ta kufizonte.
Kështu, brenda pak ditësh, e njëjta hapësirë politike u përshkrua me dy narrativa të kundërta.
Nga njëra anë, qeveria e paraqiti problemin si një përballje me dezinformimin dhe manipulimin e debatit publik. Nga ana tjetër, opozita e paraqiti të njëjtën situatë si përpjekje për censurimin e protestës.
Fakt mbetet se në rrjete sociale, të dyja narrativat u shpërndan më shpejt se sa mund të verifikoheshin.
Portalet si hallka e dytë
Ekziston edhe një hallkë tjetër që janë portalet.
Një politikan publikon një deklaratë. Portali e kthen në titull. Titulli publikohet në Facebook. Më pas ai mund të merret nga një portal tjetër, të shoqërohet me një video ose një fotografi dhe të rikthehet sërish në rrjet.
Për këtë arsye një deklaratë politike që fillimisht është vetëm një postim i një politikani mund të perceptohet nga publiku si një ngjarje më e madhe, sepse është shfaqur në shumë vende.
Të dhënat e AMA-s tregojnë se kjo nuk është thjesht një përshtypje.
Në korrik 2026, lajmet politike zunë vendin e parë në edicionet informative të mediave audiovizive, me 15.54% të përmbajtjeve të monitoruara. Pas tyre vinin lajmet sociale me 14.47% dhe ato ndërkombëtare me 12.41%.
Në të njëjtin muaj, AMA monitoroi edhe transmetimin live të protestës në 12 televizione informative gjatë të gjitha 31 ditëve të korrikut. Monitorimi llogariti vetëm kohën e transmetimit të drejtpërdrejtë dhe jo emisionet, komentet apo intervistat në studio.
Kjo do të thotë se një ngjarje politike nuk konkuron vetëm për hapësirën e një edicioni informativ. Ajo konkuron për titullin e portalit, postimin në Facebook, videon e shkurtër, deklaratën e radhës dhe transmetimin live.
Dezinformimi, ankesa më e madhe e publikut
Një tjetër e dhënë e AMA-s e bën më të qartë problemin. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, Këshilli i Ankesave pranë AMA-s trajtoi 194 ankesa. Kategoria më e madhe ishte dezinformimi, me 16.5% të ankesave.
Pas saj renditeshin cenimi i imazhit dhe privatësisë me 12.9%, dhuna verbale dhe fizike me 11.9% dhe çështjet që lidhen me interesin më të lartë të fëmijës me 6.7%.
Shifra nuk do të thotë se çdo lajm politik është dezinformim. Por tregon se problemi i informacionit të pasaktë ose të manipuluar është bërë një shqetësim konkret për publikun dhe institucionin që monitoron median audiovizive.
Facebook, Instagram dhe videot e shkurtra
Facebook mbetet një nga hapësirat kryesore ku politikanët shqiptarë publikojnë deklaratat e tyre, ndërsa videot e shkurtra kanë ndryshuar mënyrën se si shpërndahet mesazhi.
Një fjalim disa minutësh mund të shndërrohet në një video prej 20 apo 30 sekondash. Në atë fragment mund të mbetet vetëm fjalia më e fortë e politikanit. Pra, në vend të gjithë deklaratës, publiku merr një fjali. Në vend të gjithë debatit, merr një përplasje. Në vend të dokumentit, merr një titull.
Dhe pikërisht ky fragment është më i përshtatshëm për t’u shpërndarë.
Rasti i protestave e ka treguar këtë mekanizëm në praktikë. Njëra palë flet për dezinformim dhe manipulim të algoritmeve, ndërsa pala tjetër flet për censurë. Të dyja palët përdorin rrjetet sociale për t’ia përcjellë drejtpërdrejt mesazhin mbështetësve të tyre.
Politika nuk pret më edicionin e lajmeve
Ndryshimi më i madh është se politikani nuk ka më nevojë si dikur të presë konferencën për shtyp apo edicionin e mbrëmjes.
Pasi, një postim në Facebook mund të jetë deklarata politike, një video në Instagram mund të jetë përgjigjja ndaj kundërshtarit, një video e shkurtër mund të bëhet argumenti kryesor i një portali apo edhe një titull portali mund të rikthehet përsëri në rrjetet sociale si “lajm”.
Politika prodhon mesazhin, portali e kthen në lajm, rrjeti social e përhap dhe reagimi i publikut prodhon deklaratën e radhës.
Dhe në këtë qark, ajo që arrin më shpejt te publiku nuk është domosdoshmërisht ajo që është verifikuar më mirë.



