KreuAktualitetPolitikaPas akuzave te Grida Duma/ Pacolli paralajmëron padi ndaj Manjanit dhe Curri

Pas akuzave te Grida Duma/ Pacolli paralajmëron padi ndaj Manjanit dhe Curri

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka paralajmëruar ndjekje ligjore ndaj ish-ministrit Ylli Manjani dhe analistit Arjan Curri, pas deklaratave të bëra në emisionin “Top Story” të Grida Dumës në Top Channel.

Në një reagim në rrjetet sociale, Pacolli thotë se është njohur me deklaratat pas kthimit nga një udhëtim dhe pretendon se ndaj tij janë bërë akuza që i konsideron të pavërteta dhe të pambështetura në fakte.

“Akuzat dhe pretendimet e bëra në adresën time i konsideroj të pavërteta, shpifëse dhe të pambështetura në fakte. I kundërshtoj ato plotësisht dhe jam i gatshëm t’i përball çdo pretendim me dokumente dhe prova”, shkruan Pacolli.

Biznesmeni thotë se prej vitesh është përballur me akuza që, sipas tij, kanë cenuar emrin dhe reputacionin e tij, si edhe kompanitë që ka ndërtuar ndër vite.

Pacolli paralajmëron se veprimet ligjore do të përfshijnë edhe Arjan Currin, duke kujtuar se ndaj analistit ka pasur edhe më herët një çështje të ndjekur në rrugë ligjore për deklarata të bëra ndaj tij.

“Veprimet ligjore do të përfshijnë edhe z. Arjan Curri për deklaratat e tij. Edhe për deklarime të mëparshme të tij ndaj meje çështja është ndjekur në rrugë ligjore”, shprehet ai.

Pacolli njofton se të hënën do t’u drejtohet institucioneve kompetente dhe gjykatave në Tiranë dhe Lugano, duke deklaruar se synon që deklaratat e bëra publikisht të përballen me dokumente dhe prova.

“Gjithçka e thënë publikisht” do të përballet me “fakte, dokumente dhe përgjegjësi ligjore”, shkruan biznesmeni.

Në reagimin e tij, Pacolli bën dallimin mes kritikës dhe asaj që ai e konsideron shpifje, duke argumentuar se opinioni publik duhet të informohet mbi bazën e fakteve.

Në fund të reagimit, ai përdor një gjuhë të ashpër ndaj personave që, sipas tij, bëjnë akuza të pambështetura, duke deklaruar se “dikush në këtë vend duhet t’u tregojë vendin shpifësve dhe sharlatanëve”.

Deri në këtë reagim, Pacolli nuk ka bërë publike në postimin e tij dokumentet me të cilat pretendon se do të kundërshtojë deklaratat e bëra në emision.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat