KreuAktualitetEkonomiaNga kontratat te monopolet/ Tabaku: Korrupsioni po i kushton shqiptarëve

Nga kontratat te monopolet/ Tabaku: Korrupsioni po i kushton shqiptarëve

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ka lidhur korrupsionin me kostot që, sipas saj, përfundojnë te familjet shqiptare, pensionistët dhe bizneset.

Në videon e radhës të rubrikës “Këndi i Fundjavës”, Tabaku iu referua raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri, duke thënë se problemet e ngritura nga opozita për korrupsionin, konkurrencën, informalitetin, pastrimin e parave, prokurimet dhe pronat pasqyrohen edhe në vlerësimet amerikane.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve e përshkruan korrupsionin, konkurrencën e deformuar, informalitetin, pastrimin e parave, prokurimet publike dhe dobësinë në zbatimin e kontratave si disa prej shqetësimeve të raportuara nga investitorët e huaj në Shqipëri.

“Mos më besoni mua. Lexoni raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Kriza për të cilën ne flasim, sepse e jetojmë çdo ditë, përshkruhet edhe atje”, shprehet Tabaku.

Sipas deputetes demokrate, korrupsioni nuk mbetet vetëm në nivelin e institucioneve, por përkthehet në kosto për buxhetin dhe qytetarët. Ajo veçon kontratat publike, të cilat, sipas saj, mund të krijojnë detyrime afatgjata për shtetin.

“Ministrat ndryshojnë. Por kontrata mbetet. Fatura mbetet. Dhe fatura gjithmonë u shkon qytetarëve”, deklaron Tabaku.

Një tjetër të dhënë që sjell deputetja është Indeksi i Biznesit i Dhomës Amerikane të Tregtisë për vitin 2025. Sipas AmCham, indeksi zbriti në 40.34 pikë nga 100, nga 46.47 pikë që ishte në vitin 2024. Ndër shqetësimet kryesore të bizneseve ishin monopolet dhe konkurrenca e pandershme me 26.11 pikë, ndërsa korrupsioni u vlerësua me 28.67 pikë.

Tabaku thotë se këto shifra pasqyrojnë vështirësitë që kompanitë hasin në marrëdhëniet me administratën dhe institucionet, si dhe problemet që lidhen me konkurrencën në treg.

Ajo ndalet edhe te investimet e huaja, duke argumentuar se Shqipëria duhet të synojë më shumë investime në teknologji, prodhim dhe sektorë që krijojnë vende pune me paga më të larta, në vend të një përqendrimi të madh te pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimi.

“Kapitali serioz kërkon gjykata që funksionojnë, kontrata që zbatohen, konkurrencë, transparencë dhe rregulla që nuk ndryshojnë sipas emrit të investitorit”, shprehet Tabaku.

Në fund, deputetja e PD-së kërkon një ekonomi të bazuar te konkurrenca dhe transparenca, duke e përmbledhur mesazhin e saj me një tjetër deklaratë:

“Kapitali mund të hyjë edhe në një vend të padrejtë. Por besimi ndërtohet vetëm në një vend të lirë”.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat