Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar në një konferencë për shtyp pas situatës së rëndë të krijuar gjatë protestave në disa qytete të vendit. Ai deklaroi se në kryeqytet, prej gati 72 orësh, janë regjistruar akte dhune, zjarrvënie dhe shkatërrime të institucioneve dhe pronës publike e private.
Sipas Hitës, deri në momentin e deklaratës janë plagosur 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda.
Kreu i Policisë theksoi se institucioni garanton të drejtën kushtetuese për protestë paqësore, por paralajmëroi se dhuna dhe shkatërrimi i pronës nuk mund të justifikohen me ushtrimin e kësaj të drejte.
Hita u bëri thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve që të mos lejojnë përfshirjen e të rinjve në akte dhune. Ai ngriti gjithashtu pretendimin se pas personave të maskuar që drejtojnë aktet e dhunshme nuk qëndrojnë studentë, por individë të rekrutuar për qëllimet e organizatorëve të protestës, brenda dhe jashtë vendit.
Duke iu drejtuar efektivëve të policisë, Hita u garantoi mbështetjen e tij të plotë dhe atë institucionale të ministrit të Punëve të Brendshme dhe qeverisë për çdo veprim të ligjshëm në përmbushje të detyrës. Ai tha gjithashtu se orët shtesë të shërbimit do të njihen dhe kompensohen sipas ligjit.
Në fund të deklaratës, drejtori i Policisë u bëri thirrje protestuesve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, duke theksuar se përgjegjësia për aktet e kryera është individuale.
“Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit me dobësinë!”, ishte mesazhi i prerë i Hitës.
Deklarata e plotë e Skënder Hitës
Të nderuar qytetarë!
Prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me një valë dhune, sulmesh, zjarrvëniesh dhe shkatërrimesh ndaj institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Në këto ngjarje, deri në këto momente, gjatë përmbushjes së detyrës për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë publike janë plagosur 71 punonjës të Policisë së Shtetit, disa prej tyre me dëmtime të rënda.
Dua të jem shumë i qartë: Policia e Shtetit garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht. Por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën, zjarrvënien, grabitjen dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
Policia e Shtetit nuk është pronë e asnjë partie politike. Ajo është institucion i Republikës, në shërbim të ligjit dhe qytetarëve. Misioni ynë është të mbrojmë jetën, pronën, institucionet dhe rendin publik, pa dallim.
U bëj thirrje prindërve, mësuesve dhe pedagogëve të mos lejojnë që nxënësit e gjimnazeve dhe studentët të përdoren apo të përfshihen në akte dhune të organizuar.
Të rinjtë kanë të drejtë të protestojnë, të kërkojnë dhe të kundërshtojnë, por askush nuk duhet t’i përdorë si mburojë për të sulmuar institucionet, për të djegur dhe shkatërruar pronën e qytetarëve.
Siguria dhe e ardhmja e tyre janë përgjegjësi e përbashkët e familjes, shkollës dhe e shtetit.
Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës, nuk janë studentë, por janë individë të rekrutuar për qëllimet e errëta të organizatorëve të vërtetë të kësaj proteste, brenda e jashtë vendit.
Fakti është se nga të gjithë të ndaluarit natën e parë të protestës së dhunshme, asnjë nga personat nuk rezultoi student. Ndërsa nga të ndaluarit e natës së dytë, pas djegies e plaçkitjes masive, një numër shumë i vogël ishin studentë.
Të dashur punonjës të Policisë së Shtetit, sot dua t’u jap një garanci të qartë:
Në këtë përballje me dhunën, keni mbështetjen time të plotë si Drejtor i Përgjithshëm dhe mbështetjen institucionale të Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Qeverisë Shqiptare për çdo veprim të ligjshëm në përmbushje të detyrës.
Çdo sulm ndaj uniformës blu është sulm ndaj autoritetit të ligjit dhe shtetit. Kushdo që ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, ka dëmtuar institucionet, pronën publike dhe private, do të identifikohet dhe do të përballet me ligjin.
Çdo orë shtesë shërbimi do t’ju njihet dhe do të kompensohet sipas ligjit. Sakrifica juaj meriton respektin dhe mbështetjen e plotë të institucioneve.
Ju kërkoj profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri. Mos u provokoni, por mos u tërhiqni nga përmbushja e detyrës! Forca jonë është ligji dhe autoriteti ynë buron prej tij.
Ndërkohë, u bëj thirrje pjesëmarrësve në tubime të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit. Përgjegjësia është individuale dhe do të përballeni me forcën e ligjit.
Ndaloni dhunën ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve, pronës publike dhe private! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të miturve. E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin.
Dhe për këdo që mendon se mund të imponojë vullnetin e tij përmes dhunës, mesazhi është i prerë:
Mos e ngatërroni vetëpërmbajtjen e Policisë së Shtetit me dobësinë!
Policia nuk tërhiqet përballë dhunës. Institucionet do të mbrohen. Qytetarët do të mbrohen. Ligji do të zbatohet me vendosmëri dhe pa asnjë përjashtim.



