KreuAktualitetSocialeVIP-at u zgjuan pas dhunës disa ditore në protestë/ Solidaritet apo frikë...

VIP-at u zgjuan pas dhunës disa ditore në protestë/ Solidaritet apo frikë nga humbja e ndjekësve?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Protestat në Tiranë, të shoqëruara me përplasje mes protestuesve dhe policisë, kanë sjellë edhe reagimet e personazheve të njohur publikë. Por, krahas mesazheve kundër dhunës, koha kur këto reagime publikohen ka hapur një tjetër debat. Ku ishin disa prej VIP-ave gjatë ditëve të para të protestës dhe pse zgjodhën të flisnin vetëm pasi pamjet e përplasjeve u përhapën gjerësisht?

Një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen është moderatorja Arbana Osmani, e cila pranoi se kishte zgjedhur të heshtte për disa ditë, për të kuptuar më mirë situatën. Në reagimin e saj, ajo tha se ngjarjet nuk duhen trajtuar si spektakël apo si mundësi për të marrë pëlqime në Instagram, ndërsa shprehu shqetësimin për të rinjtë e lënduar dhe i kërkoi kryeministrit Edi Rama të dëgjojë qytetarët.

Por pikërisht kjo heshtje disaditore është bërë objekt kritikash nga një pjesë e ndjekësve të saj, të cilët kanë vënë në pikëpyetje kohën e reagimit. Kontradikta që ngrihet është e qartë. Nëse dhuna ndaj të rinjve është një çështje kaq e rëndë, a duhet të presin figurat publike që pamjet të bëhen virale për të shprehur qëndrimin e tyre?

Alketa Vejsiu, Alban Skënderaj dhe Emina Çunmulaj në listën e reagimeve

Arbana Osmani nuk është e vetmja figurë publike që ka reaguar. Edhe Alketa Vejsiu ka publikuar një mesazh ku thekson se Shqipëria nuk i përket asnjë qeverie apo partie dhe bën thirrje që shqiptarët të mos kthehen kundër njëri-tjetrit.

Këngëtari Alban Skënderaj ka reaguar publikisht pasi imazhi i tij u përfshi në aksionin simbolik të protestuesve në Tiranë, të cilët vendosën shenja të kuqe mbi portretet e disa figurave publike, duke kritikuar atë që e konsiderojnë mungesë reagimi ndaj zhvillimeve të fundit në vend.

Ndërsa modelja Emina Çunmulaj, e ka vënë theksin te roli i të rinjve në shoqëri, duke kërkuar që zëri i tyre të dëgjohet me respekt dhe të mos mbytet me dhunë.

Edhe influencerja Sara Hoxha kishte reaguar më herët, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shprehte shpresën që të mos lëndohej më askush. Edhe ky reagim u pasua nga komente kritike për mënyrën se si u përcoll mesazhi.

Reagim qytetar apo presion i rrjeteve sociale?

Pikërisht këtu lind pyetja që meriton debat publik. A po flasin VIP-at sepse janë realisht të shqetësuar për dhunën, apo sepse heshtja, në një moment të tillë, mund t’u kushtojë përballë ndjekësve të tyre?

Në një kohë kur rrjetet sociale ndikojnë drejtpërdrejt në imazhin publik, çdo reagim mund të shihet edhe përmes filtrit të audiencës, pëlqimeve dhe komenteve.

Gazetari Elton Tozaj, sipas një qëndrimi të shprehur më herët, kishte ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi reagimet e personazheve të njohur.

Po përtej postimeve, ku është angazhimi?

Një deklaratë publike mund të ketë vlerë, sidomos kur kërkon ndalimin e dhunës dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve, atëherë kur ndodh dhe jo kur të bie algoritmi.

Prandaj publiku ka të drejtë të pyesë pse disa zëra bëhen të dëgjueshëm vetëm pasi situata përshkallëzohet. Kur të rinjtë dalin në rrugë dhe përballen me policinë, a mjafton një postim në Instagram, apo ndikimi publik duhet të shoqërohet edhe me angazhim të vazhdueshëm, kërkesa konkrete për llogaridhënie dhe vëmendje ndaj shkaqeve të protestës?

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat