KreuOpinion dhe AnalizëEd Rama, shakaxhiu i europianizimit

Ed Rama, shakaxhiu i europianizimit

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Xhovani Shyti

Kontrolli i qeverive dhe politikave që ato ndjekin përbën sot debatin më të madh jo vetëm të qëllimit të protestave lokale, por edhe atyre globale.

Referuar raportimeve mediatike, vatrat më të nxehta të demonstratave momentale rezultojnë të jenë në Shqipëri, Itali, Francë, Spanjë, Belgjikë, Portugali, Argjentinë, Turqi e Indi. Ndërkohë analistët e politikave botërore parathonë zgjerimin e kraterit të pakënaqësive popullore edhe në vende të tjera.

Motivi që i ka nxitur protestat është rritja palogjikshmërisht e kostos së jetesës, reformat në arsim, problemet me strehimin dhe pakënaqësitë ndaj qeverive uni-shtet-pushtet të llojit Edi Rama.

Përveç masivizimit e qenies protagonist potent, kryesisht, të të rinjve studentorë, por jo vetëm, të gjitha këto  lëvizje demonstruese kanë të përbashkët objektivin. Përmbysjen nga themeli të kastave të vjetra monopolizuese të pushtet-politikës që ka shpënë në pabarazinë social-ekonomike. Ndërtimi i uni-shtet-pushteteve nepotiko-patronazhisto-ekspansioniste ka konfiguruar ndarjen e botës në shumë të pasur e shumë të varfër.

Në popullsi që vuajnë privacione dhe individë e grupe që gëzojnë e shijojnë gjithçka, me tepri. Ngaqë kanë shfrytëzuar administrimin e pushtetit për të grumbulluar pasuri të pameritueshme, duke futur duart në buxhetet e pronësitë publike.

Shqipëria e pushtet-shtetit të Edi Ramës është kryesuese tipike e kësaj strukture përfituese me bazë nepotizmo-patronazhizmin, që në vend të “rilindjes” e nxjerrjes nga gropa e krizës së trashëguar prej paraardhësit Berisha, 14 vite pas qeverisjes e çoi vendin në kolaps.

Në kolapsin e lindur nga paaftësia e shërimit të plagëve të vjetra dhe hapjen e të rejave me kosto të rënda gjithëkombëtare. Nga përrenj, ujërat e shqiptarëve pa perspektivë të vijimësisë normale të jetës brenda shtetit të tyre, u shndërruan në lumenj.

Referuar statistikave zyrtare rezulton se për periudhën 2023-2026, mbi 166,400 shqiptarë neto kanë emigruar. Gjatë viteve të fundit pas pandemisë, trendi ka mbetur në nivele të larta, ku çdo vit largohen mesatarisht rreth 29,000-44,000 persona më shumë sesa numri i personave që riatdhesohen.

Rreth 62% e emigrantëve janë nën moshën 35 vjeç. Grupmoshat më aktive që braktisin vendin janë ato 25-29 vjeç dhe 30-34 vjeç. Përveç individëve të vetëm, vihet re një ikje në masë edhe e familjeve të reja.

Si pasojë e kësaj vale emigracioni të kombinuar me rënien e lindjeve, popullsia e Shqipërisë ka zbritur në rreth 2.34 milionë banorë, kumtojnë statistikat zyrtare, duke konfirmuar përmasat e dhimbshme të ikjes, arratisjes nga trualli amë gjatë 14 viteve qeverisje të 4 kabineteve Rama.

Në vend që përgjatë 14 viteve asetet e të ardhurat publike të shërbenin për mirëqenie gjithëkombëtare iu dedikuan pasurimit çmendurak të rrethit oligarkik të kryeministrit Rama, patronazhistëve e të huajve spekulantë.

“Nuk ekziston një përqindje ekzakte apo shifër zyrtare e unifikuar rreth pjesës së aseteve publike që në tërësi i është dhënë sektorit privat në Shqipëri”, shënohet në kanalet zyrtare të komunikimit, ndërsa ekspertë të ekonomisë komentojnë se jo pa qëllim qeveria e ka shmangur krijimin e një inventari apo regjistri të përditësuar të aseteve fizike publike (rrugë, hekurudha, ndërtesa, ujësjellës etj.).

Të dhënat e fundit zyrtare të plota mbi vlerën e aseteve publike i përkasin vitit 2014. Pa një vlerë totale fillestare të aseteve aktuale, llogaritja e një përqindjeje të saktë të pjesës që u është dhënë privatëve është e pamundur.

Përse? Çfarë fshihet pas këtij konspiracioni të pajustifikuar?!

Në këtë mjegull zyrtare spekulative i dukshëm është fakti që politikat qeverisëse Rama, nën sloganin e futjes së vendit në BE, të përdorura teprueshëm si mjet për të shtyrë viteqeverisjet, e epitetuan Edi Ramën si shakaxhi të europianizimit. Pasi vendi u shndërrua në bahçe oligarkiko-personale dhe jo në territor të gjithëkombëtarësisë.

Shpërthimi i protestave studentore-popullore nuk ka në qendër individin Edi Rama, por kryeqeverisësin e vendit që pas 14 viteve në krye të 4 kabineteve qeverisëse në vend të “rilindjes” së premtuar e standardeve euroatlantike i katandisi shqiptarët në mjerim të paimagjinuar.

Si rrugë shpëtimi nga oligarkia (politiko-ekonomiko-financiare) që ka kontrolluar, kontrollon e dikton qeverisjen protestuesit shqiptarë kanë zgjedhur lumin e protestave, uji i të cilave do të ndalet vetëm kur Edi Rama t’i shqisë duart nga kangjellat e zyrës kryeministrore.

Kërkesë ultimative e protestuesve kjo, e pandryshueshme nga çdo lëvizje tjetër e ndërmarrë prej tij. Largimi nga qeverisja e kryeministrit Edi Rama do të shënonte kalimin e vijëndarëses midis rendit të vjetër dhe atij të ri që është i domosdoshëm për të bërë realitet projektin e ndërtimit të një Shqipërie euroatlantike, ku liria dhe demokracia të jenë realisht funksionale e jo slogan si deri më sot.

 “Rama flet për të drejtën e tubimit të lirë dhe e paraqet Shqipërinë si një vend që po ecën me hapa të shpejtë drejt Bashkimit Europian. Por fjalët dhe veprimet e tij gjatë 140 ditëve të protestave, tregojnë një realitet shumë më të zymtë”, vlerëson në një publikim Fred Abrahams, autori i librit “Shqipëria moderne: Nga diktatura në demokraci”(“Modern Albania: From Dictatorship to Democracy”), duke lënë në pritshmëri përgjigjen e pyetjes: “A do të vazhdojnë qeveritë europiane dhe Bashkimi Europian ta mbështesin njeriun e tyre në Tiranë?” / CNA

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat