KreuAktualitetPolitikaReforma Zgjedhore ngec sërish/ PD dhe PS pa konsensus

Reforma Zgjedhore ngec sërish/ PD dhe PS pa konsensus

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës janë ulur sërish në tryezën e Reformës Zgjedhore, pas ndërhyrjes së përfaqësuesve të OSBE-së dhe Bashkimit Europian, por takimi nuk ka prodhuar konsensus për ndryshimet që kërkohen në Kodin Zgjedhor.

Në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar, bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri prezantoi tri çështjet ku palët kanë rënë dakord të përqendrojnë punën në vijim. Ato përfshijnë shqyrtimin e propozimeve të Partisë Demokratike përmes drafteve ligjore, përfundimin e projektligjit për financimin e partive politike dhe dërgimin e tij për një opinion të dytë në Komisionin e Venecias, si dhe trajtimin e rekomandimeve të pazbatuara, veçanërisht depolitizimin e administratës zgjedhore.

Gjiknuri bëri të ditur se opozita duhet të paraqesë propozimet e saj në formë draftesh ligjore, në mënyrë që ekspertët të nisin menjëherë shqyrtimin e tyre.

Sa i përket financimit të partive politike, ai tha se projektligji është pothuajse i përfunduar dhe se në të janë reflektuar propozimet e palëve dhe rekomandimet e mëparshme të Komisionit të Venecias.

Sipas Gjiknurit, mbetet të bëhen disa përmirësime përpara se drafti t’i dërgohet sërish Komisionit të Venecias, ndërsa theksoi se afati i komisionit përfundon pas më pak se dy javësh.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari i komisionit nga opozita, Oerd Bylykbashi, paraqiti paketën e Partisë Demokratike për ndarjen e partisë nga shteti. Propozimet e PD-së parashikojnë sanksione penale për përdorimin e burimeve shtetërore në fushata elektorale, pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe humbjen e mandatit për kandidatët që përfitojnë nga këto shkelje, si dhe përjashtimin e partisë përkatëse.

“Sanksione penale të shkruara qartë, që prokuroria të mos ketë justifikimin që nuk i kuptoi dhe sot e kësaj dite nuk ka çuar njeri në burg. Pavlefshmëri zgjedhjesh, por edhe një element tjetër: kush merr mandat në përdorim të burimeve shtetërore, në këtë konflikt të madh interesi, humbet mandatin ai dhe partia përkatëse”, deklaroi Bylykbashi.

Opozita kërkoi gjithashtu rikthimin e koalicioneve me lista të përbëra, aplikimin e sistemit proporcional kombëtar me lista 100 për qind të hapura për zgjedhjet parlamentare dhe hapjen e plotë të listave për këshillat bashkiakë.

Këto propozime u pritën me rezerva nga mazhoranca. Gjiknuri kundërshtoi kërkesën për sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, duke argumentuar se një ndryshim i tillë do të kërkonte edhe rishikimin e Kushtetutës për uljen e numrit të deputetëve.

“Nëse doni sistem proporcional me lista të hapura, atëherë të rishikojnë Kushtetutën për uljen e numrit të deputetëve të Kuvendit”, u shpreh ai.

Në mungesë të një marrëveshjeje për propozimet e opozitës, palët vendosën t’u drejtohen ekspertëve të ODIHR-it për paketën e PD-së, ndërsa projektligji për financimin e partive politike do të dërgohet për një opinion të dytë në Komisionin e Venecias.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat