Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke deklaruar se vendi po shënon progres domethënës në këtë proces.
Gjatë fjalës së saj në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, që po zhvillohet në Bruksel me temë “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”, von der Leyen e cilësoi periudhën aktuale si një moment të rëndësishëm për zgjerimin e unionit dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Shqipëria po bën progres domethënës drejt anëtarësimit. Në vendet e Ballkanit Perëndimor po bëhen hapa të mëdhenj. Ky është një moment i rëndësishëm. Ne duhet ta kapim këtë mundësi dhe të shfaqim të njëjtën ambicie si liderët e 30 viteve më parë, për ta kthyer këtë proces në sukses”, deklaroi presidentja e Komisionit Evropian.
Ajo theksoi gjithashtu se integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor do të sillte përfitime për të gjithë Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se talentet e reja të rajonit do të kontribuojnë në tregun e përbashkët evropian.
Në fjalën e saj, von der Leyen rikujtoi edhe zgjerimin historik të BE-së, duke u ndalur te procesi i nisur 30 vite më parë, kur vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore filluan rrugëtimin drejt anëtarësimit, i cili kulmoi me zgjerimin e vitit 2004.
Sipas saj, ky proces solli transformim të jashtëzakonshëm ekonomik dhe rriti fuqinë e Bashkimit Evropian. Si shembull, ajo përmendi Poloninë, ekonomia e së cilës, sipas deklaratës së saj, është sot tre herë më e madhe se ajo e Bjellorusisë.
Von der Leyen argumentoi se zgjerimi nuk është vetëm një proces politik dhe ekonomik, por edhe një çështje e rëndësishme sigurie për Evropën, veçanërisht në kushtet e tensioneve me Rusinë.
Ajo theksoi se anëtarësimi i vendeve të reja ka forcuar kufirin lindor të BE-së dhe se shtetet që synojnë integrimin kanë shumë për t’i ofruar unionit.
“Zgjerimi prodhon më shumë prosperitet. Shtimi i anëtarëve të rinj na bën më të fortë”, u shpreh presidentja e Komisionit Evropian.



