Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka ironizuar kreun e partisë britanike Reform UK, Nigel Farage, për deklaratat e tij kundër emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar, duke e paralajmëruar se duhet të ketë kujdes nga ajo që e cilësoi si “mallkimi shqiptar”. Në një intervistë ekskluzive për gazetën britanike “The Independent”, Rama ka rikthyer në vëmendje deklaratat e Farage për komunitetin shqiptar, ndërsa ka pretenduar se politikanët që përdorin shqiptarët si objekt sulmesh politike nuk përfundojnë mirë në karrierën e tyre.
Në intervistën e gjerë, kryeministri është ndalur te pretendimi i Farage se një në 50 shqiptarë që jetojnë në Britani ndodhet në burg. Rama ka kritikuar mënyrën se si, sipas tij, politikanë britanikë përdorin komunitete të caktuara për të fituar mbështetje politike, duke e cilësuar këtë praktikë si të turpshme, pavarësisht nëse mund të konsiderohet apo jo racizëm.
“Është diçka nga e cila duhet të kesh kujdes, sepse kushdo që sulmon shqiptarët nuk përfundon mirë politikisht. Suella Braverman, për shembull, sot nuk është askund politikisht. Edhe disa të tjerë kanë përfunduar në të njëjtën situatë. Unë i kam thënë mikut tim Nigel Farage të ketë kujdes, sepse ekziston një mallkim shqiptar”, është shprehur Rama.
Kryeministri ka kujtuar gjithashtu ftesën që i kishte bërë Farage për të vizituar Shqipërinë, në mënyrë që të njihte nga afër vendin dhe të verifikonte pretendimet e tij për shqiptarët që jetojnë në Britani. Sipas Ramës, kreu i Reform UK e kishte pranuar ftesën, por nuk e kishte realizuar vizitën.
“Ai pranoi ftesën për të vizituar Shqipërinë, por nuk e ka realizuar atë. Ai është shumë i mirë në bërjen e premtimeve, por nuk duket aq i mirë në mbajtjen e tyre”, ka deklaruar kryeministri.
I pyetur nëse deklaratat e Farage mund të konsiderohen raciste, Rama nuk ka dhënë një përcaktim të prerë, por ka kritikuar veçimin e komuniteteve mbi bazën e përkatësisë etnike, ngjyrës së lëkurës, gjuhës apo kulturës për qëllime politike.
“Mund të jetë racizëm, mund të mos jetë racizëm, por është e turpshme në të dyja rastet. Është e turpshme të veçosh komunitete, etni, ngjyra lëkure, gjuhë dhe kultura të ndryshme për qëllime politike”, është shprehur Rama.
Rama për Brexit-in: Britania në gjendje edhe më të dëshpëruar se pjesa tjetër e Europës
Përtej përplasjes me Farage, intervista për “The Independent” ka prekur edhe zhvillimet politike në Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht pas Brexit-it. Rama ka dhënë një vlerësim kritik për situatën aktuale të vendit, duke e lidhur atë me rrugën politike të ndjekur pas largimit nga Bashkimi Europian.
“Britania është në një gjendje edhe më të dëshpëruar se pjesa tjetër e Europës. Shpresoj që kryeministri i ri të jetë në gjendje ta ndryshojë këtë rrugë të vetëshkatërrimit që nisi me Brexit-in”, ka deklaruar ai.
Kryeministri ka komentuar edhe figurën e Andy Burnham, duke e cilësuar atë si një politikan me tërheqje të veçantë, për shkak të përvojës së tij në qeverisjen lokale. Rama ka vlerësuar rëndësinë e pushtetit vendor në politikë, ndërsa ka bërë edhe një koment ironik për vështirësinë e tij për t’u përshtatur me komunikimin politik në Instagram.
Në intervistë, Rama është ndalur edhe te ndikimi i rrjeteve sociale në demokracitë moderne, duke shprehur shqetësimin se platformat digjitale po krijojnë hapësira për përhapjen e ekstremizmit dhe teorive konspirative.
“Demokracitë tona po hahen të gjalla nga e keqja e rrjeteve sociale. Ne kemi lejuar që liria e fjalës të zëvendësohet nga liria e shpërndarjes dhe e arritjes te publiku. Sot, nazistët, teoricienët e konspiracionit dhe ekstremistët janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe mund të përhapin idetë e tyre në të gjithë botën”, ka thënë kryeministri.
Sulmi i vitit 1997 dhe rikthimi në politikën shqiptare
Gjatë bisedës, Rama ka folur edhe për një nga episodet më të rënda të jetës së tij, sulmin fizik që pësoi në vitin 1997, kur u dhunua nga dy persona teksa po kthehej në shtëpi me të dashurën e tij.
Sipas rrëfimit të tij, autorët përdorën tuba metalikë dhe doreza me gozhdë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë dhe në hundë.
“Dy persona më sulmuan teksa po kthehesha në shtëpi me të dashurën time. Ata përdorën tuba metalikë dhe doreza me gozhdë. Më thyen kafkën dhe hundën në pesë vende. Besoj se ishin dërguar nga regjimi i asaj kohe dhe se qëllimi ishte të më vrisnin. Pas kësaj ngjarjeje mendova se nuk do të kthehesha më në Shqipëri”, ka treguar Rama.
Ai ka shpjeguar se në atë periudhë nuk kishte synime për t’u angazhuar në politikën partiake, duke e përshkruar veten si një intelektual liberal dhe të pavarur. Sipas tij, angazhimi në jetën publike dhe rrugëtimi i mëvonshëm drejt politikës erdhën si rezultat i zhvillimeve që pasuan.
Protestat në Shqipëri dhe projekti i Sazanit
Një pjesë e rëndësishme e intervistës i është kushtuar edhe zhvillimeve të brendshme politike në Shqipëri, protestave kundër qeverisë dhe polemikave për projektin e investimit në ishullin e Sazanit, ku janë të përfshirë Jared Kushner dhe Ivanka Trump.
I pyetur për protestat e fundit dhe zemërimin ndaj qeverisë, Rama është shprehur se zhvillimet e kanë shqetësuar, duke vënë theksin te roli i rrjeteve sociale në përhapjen e pakënaqësisë dhe në mënyrën se si perceptohen ngjarjet në Shqipëri jashtë vendit.
“Ajo që ndodhi ishte shqetësuese, sepse pashë nga afër se çfarë katastrofe mund të jenë rrjetet sociale. Shqipëria u kthye në skenën e një zemërimi që u përhap në çdo ekran kompjuteri në botë. Mendoj se rrjetet sociale kanë ndikuar shumë në mënyrën se si perceptohen zhvillimet në vend”, ka deklaruar ai.
Sa i përket projektit të Sazanit dhe akuzave për konflikt interesi për shkak të lidhjeve familjare të Kushnerit me presidentin amerikan Donald Trump, Rama ka mohuar se marrëdhënia me investitorët ka nisur për shkak të pozicionit politik të këtij të fundit.
Kryeministri ka pretenduar se kontaktet me Jared Kushnerin kanë nisur përpara se Donald Trump të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë. Ai ka kujtuar se në kohën kur ishte zhvilluar takimi i parë, Trump po përballej me çështje në sistemin amerikan të drejtësisë dhe nuk ishte ende president.
“Kur u takova me Jared Kushnerin dhe ai më pyeti nëse mund të shqyrtonte mundësinë e një investimi në Shqipëri, Donald Trump nuk ishte president i Shteteve të Bashkuara. Në atë kohë, ai ishte përballë sistemit të drejtësisë amerikane dhe dukej se kishte më shumë mundësi të përfundonte në burg sesa të shkonte në Shtëpinë e Bardhë”, ka deklaruar Rama.
Ai ka shtuar se e ka mirëpritur interesimin e Kushnerit për të investuar në Shqipëri, duke argumentuar se e sheh atë si një investitor amerikan, pavarësisht lidhjeve familjare me presidentin amerikan.
Megjithatë, Rama ka pranuar se ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare për projektin e Sazanit. Sipas tij, negociatat vijojnë dhe shteti shqiptar po diskuton pjesën që do të përfitojë nga projekti. Ai ka theksuar gjithashtu se përpara realizimit duhet të kryhen vlerësimet mjedisore për të përcaktuar nëse investimi mund të zhvillohet.
Rama ka kundërshtuar idenë se mbrojtja e zonave natyrore dhe zhvillimi ekonomik janë domosdoshmërisht të papajtueshme, duke argumentuar se një projekt i realizuar sipas standardeve mund të sjellë përfitime edhe për zonën e mbrojtur.
Turizmi, ekonomia dhe objektivi i anëtarësimit në BE deri në vitin 2030
Në intervistë, kryeministri ka folur edhe për bilancin ekonomik të qeverisjes së tij, duke iu referuar rritjes së turizmit dhe Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Rama ka deklaruar se kur mori drejtimin e qeverisë, Shqipëria regjistronte më pak se dy milionë turistë në vit, ndërsa sot, sipas shifrave që ai ka paraqitur, numri i tyre ka kaluar 12 milionë. Ai ka pretenduar gjithashtu se Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur nga më pak se 10 miliardë euro në rreth 30 miliardë euro gjatë një dekade.
Megjithatë, kryeministri ka pranuar se rritja e treguesve ekonomikë nuk mjafton për të bindur qytetarët se përmirësimi i vendit reflektohet edhe në jetën e tyre të përditshme.
“Por sot njerëzit nuk pyesin më nëse Shqipëria ka ndryshuar. Ata pyesin: Ku jam unë në këtë ndryshim? Çfarë përfitoj unë prej tij?”, është shprehur Rama.
Sa i përket integrimit europian, ai ka përsëritur objektivin e qeverisë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030, duke theksuar se ky synim mbetet i pandryshuar.
“Ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Europian. Duam të anëtarësohemi sa më shpejt, por nuk do të ndryshojmë kurrë mendje për këtë objektiv, edhe nëse Bashkimi Europian do të zhdukej. Ne do ta ndërtonim atë në Tiranë”, ka deklaruar kryeministri.
Në fund të intervistës, Rama ka folur edhe për figurat politike që kanë ndikuar në formimin e tij. Ai ka përmendur ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe qeverinë e tij të New Labour si një nga frymëzimet kryesore për hyrjen në politikë, duke vlerësuar qasjen pragmatike dhe përpjekjen për të kapërcyer ndarjet tradicionale ideologjike.
Ai ka shprehur gjithashtu admirim për ish-kryeministren Margaret Thatcher, pavarësisht se e ka cilësuar veten si socialist, duke thënë se kjo nuk e pengon të vlerësojë figura nga rryma të tjera politike.
Intervista është mbyllur me një koment të Ramës për raportin e tij me artin dhe politikën, ku kryeministri nuk ka lënë mënjanë ironinë karakteristike: “Unë jam artisti më i mirë mes kryeministrave dhe askush nuk mund të ma marrë këtë. Gjithashtu, jam kryeministri më i mirë mes artistëve dhe askush nuk mund të më thotë të kundërtën”.



