Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, ka komentuar përjashtimin e Elisa Spiropalit nga strukturat drejtuese të PS-së, vendim i marrë gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare ditën e shtunë. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, të moderatorit Ylli Rakipi, Klosi ka deklaruar se largimi i Spiropalit lidhet me çështje disiplinore dhe me nevojën për të ruajtur orientimin politik të partisë.
I pyetur drejtpërdrejt nga Rakipi se çfarë kishte bërë Spiropali për t’u shpallur, siç u shpreh moderatori, “armike” e partisë, Klosi nuk dha një shpjegim konkret për ndonjë veprim të saj, por e lidhi vendimin me qëndrimet e mëparshme të disa deputetëve socialistë dhe me votimin për zgjedhjen e presidentit.
Ai iu referua në mënyrë të veçantë gjashtë deputetëve socialistë që votuan kundër vullnetit të Partisë Socialiste, duke mbështetur kandidatin e propozuar nga Partia Demokratike.
“Përgatitemi për një garë, orientohemi për një fushatë elektorale. Që nga ndarja e parë e 6 deputetëve që votuan kundër vullnetit të PS-së, që votuan presidentin e propozuar nga PD-ja. Pra, janë momente ku ndahen projektet”, u shpreh Klosi.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së theksoi se partia ka 104 mijë anëtarë aktivë dhe 83 deputetë, duke argumentuar se në momente të caktuara drejtuesit duhet të marrin vendime për të përcaktuar drejtimin politik të organizatës.
Megjithatë, ai shmangu dhënien e arsyeve personale për largimin e Spiropalit, duke këmbëngulur se bëhet fjalë për një çështje të disiplinës partiake dhe jo për një konflikt individual.
Gjatë debatit, Rakipi e vuri përballë një tjetër kontradikte, duke kujtuar se Spiropali është konsideruar për vite me radhë një nga figurat më të disiplinuara të Partisë Socialiste.
“Si u kthye njeriu më i disiplinuar i kësaj partie në njeri të padisiplinuar?”, e pyeti moderatori.
Në përgjigjen e tij, Klosi nuk dha detaje të mëtejshme për shkaqet konkrete që çuan në këtë vendimmarrje, por e mbrojti atë si një vendim të forumit më të lartë të partisë.
“Për pozicionin dhe detyrën që kam, e kam të vështirë të flas për individë. Vendimmarrja ishte e forumit më të lartë të PS-së, për të mbështetur projektin më të rëndësishëm, që është integrimi në BE. Orientimi i forcës sonë politike në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. Disiplina është arsyeja”, deklaroi Klosi.
Pavarësisht këmbënguljes së moderatorit për të marrë një shpjegim më të qartë, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së nuk specifikoi se cili ishte konkretisht veprimi apo qëndrimi i Elisa Spiropalit që u konsiderua shkelje e disiplinës partiake.



