Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke kërkuar zyrtarisht nga SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe Policia e Shtetit caktimin e personave të kontaktit për të koordinuar luftën kundër kriminalitetit zgjedhor.
KQZ u ka dërguar shkresa drejtuesve të tre institucioneve, përkatësisht kreut të SPAK, Klodian Braho, Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke kërkuar që secili institucion të caktojë një përfaqësues për komunikimin dhe shkëmbimin e informacionit.
Nisma synon formalizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin, evidentimin dhe trajtimin e veprave penale që lidhen me procesin zgjedhor, në një kohë kur vendi po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor.
Në shkresat drejtuar institucioneve, KQZ argumenton se kjo nismë vjen në zbatim të rekomandimit numër 11 të Rezolutës së Kuvendit për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë vitit 2025 dhe rekomandimet për vitin 2026.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ndërmerr hapat për formalizimin e bashkëpunimit me Prokurorinë e Përgjithshme, Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në funksion të parandalimit dhe luftës kundër kriminalitetit zgjedhor”, thuhet në shkresat e dërguara.
KQZ kërkon që caktimi i personave të kontaktit të shërbejë si një mekanizëm për komunikim të drejtpërdrejtë dhe shkëmbim të shpejtë të informacionit mes institucioneve, me qëllim hartimin e një marrëveshjeje të përbashkët bashkëpunimi.
Sipas kërkesës, ky koordinim do të përqendrohet te parandalimi, evidentimi dhe trajtimi i shkeljeve penale që mund të cenojnë integritetin e procesit zgjedhor.



