Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Deputeti socialist Erion Braçe ka kritikuar nga foltorja e Kuvendit mosrealizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve të parashikuara në buxhetin e shtetit, duke kërkuar sërish largimin nga qeveria të ministrave që nuk arrijnë të përmbushin planin buxhetor.
Gjatë diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, Braçe riktheu një kërkesë të bërë edhe më herët, duke argumentuar se mosrealizimi i shpenzimeve të planifikuara përbën një problem serioz në menaxhimin e financave publike.
Deputeti socialist u shpreh se nuk mund të tolerohet paaftësia e ministrave për të përdorur paratë publike në mënyrë efektive, ndërsa paralajmëroi se mosrealizimi i buxhetit krijon rrezik për financat e shtetit.
“Ajo që unë nuk pranoj është që qeveria të rrezikojë buxhetin. Më qartë, mosrealizimi i buxhetit, mosrealizimi i të ardhurave apo shpenzimeve, në variantin që ka disa vite që po ndodh. Vjet këtu thashë që ministrat që nuk realizojnë shpenzimet e planifikuara në buxhetin e shtetit, duhet të ikin nga qeveria”, deklaroi Braçe.
Ai theksoi se përgjegjësit për mosrealizimin e objektivave buxhetore nuk duhet të vijojnë të qëndrojnë në detyrë, duke e cilësuar të papranueshme mungesën e efektivitetit në përdorimin e fondeve publike.
“Nuk ua ka borxh kërkush, padijen dhe paaftësinë për të përdorur paranë publike me efektivitet, abuzimin me të jo e jo, kështu që i mbetem të njëjtës kërkesë, që kush rrezikon realizimin e buxhetit dhe sjell risk serioz për të, nuk ka pse rri më qeveri”, tha deputeti i PS-së.
Braçe nuk përmendi emra ministrash konkretë, por kërkesa e tij vjen në kuadër të diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, ku realizimi i shpenzimeve dhe administrimi i fondeve publike mbeten ndër çështjet e ngritura në Kuvend.



