Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar një takim me kryenegociatoren e Shqipërisë, Majlinda Dhuka, dhe zëvendëskryenegociatoren Adea Pirdeni, ku në prani të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së u diskutua ecuria e negociatave të anëtarësimit.
Takimi u zhvillua dy javë pas publikimit të raportit vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë dhe të udhërrëfyesit drejt vitit 2027. Sipas ambasadores, Dhuka dhe Pirdeni prezantuan përparimin e negociatave, si dhe ambicien e Shqipërisë për të shkuar përtej mbylljes formale të kapitujve të anëtarësimit.
Në reagimin e saj në rrjetet sociale, Moreira de Sousa theksoi se synimi duhet të jetë ndërtimi i institucioneve që funksionojnë sipas standardeve të një vendi anëtar të Bashkimit Evropian.
Diskutimi u përqendrua te shteti i së drejtës, mjedisi dhe zbatimi konkret i reformave, ndërsa ambasadorja nënvizoi se pikërisht rezultatet në këto fusha do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët shqiptarë.
“Dhuka dhe Pirdeni paraqitën ecurinë e negociatave dhe një ambicie që shkon përtej mbylljes së kapitujve: institucione që funksionojnë si ato të një shteti anëtar. Patëm një diskutim të gjallë për shtetin e së drejtës, mjedisin dhe zbatimin e reformave në praktikë. Pikërisht kjo punë do të bëjë ndryshimin për shqiptarët”, shkroi ambasadorja.



