Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar bllokimin e përkohshëm të qarkullimit në rrugën dytësore Tiranë-Durrës, për shkak të punimeve për montimin e trarëve të mbikalimit në Nyjen e Laknasit.
Ndërhyrja bëhet në kuadër të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës, Faza III” dhe do të prekë segmentin nga Mbikalimi i Kamzës deri te Mbikalimi i Kasharit, në krahun e djathtë, në të dyja senset e lëvizjes.
Sipas njoftimit të ARRSH-së, kufizimi i qarkullimit do të zbatohet nga data 18 deri më 19 nëntor 2026, në intervalin orar 22:00-05:00.
Për menaxhimin e trafikut gjatë zhvillimit të punimeve, kontraktori ka marrë masa për vendosjen e sinjalistikës së përkohshme dhe garantimin e sigurisë rrugore në zonën ku do të kryhen ndërhyrjet.
ARRSH u ka bërë thirrje drejtuesve të mjeteve që të planifikojnë paraprakisht itinerarin, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e personelit përgjegjës për menaxhimin e trafikut.
Autoriteti Rrugor kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimet e përkohshme, të cilat bëhen të nevojshme për vijimin e punimeve në projektin e zgjerimit të superstradës Tiranë-Durrës.



