Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Vjedhja e miliona lekëve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës dyshohet se nuk është një ngjarje e izoluar, por pjesë e një skeme që ka funksionuar prej vitesh dhe ku mund të jenë përfshirë disa persona. Avokati i Elisabeta Matajt, Ilia Ilia, ngre dyshime se klientja e tij është përdorur si mbulesë për të fshehur autorët e vërtetë të vjedhjeve, të cilët sipas tij kanë pasur edhe mbështetje politike.
I ftuar në një intervistë televizive, Ilia pretendoi se Mataj është implikuar në këtë çështje nga persona që, sipas tij, kanë drejtuar skemën e vjedhjeve për një kohë të gjatë. Ai theksoi se zbulimi i abuzimeve erdhi pas një revizioni të kryer nga drejtoria e përgjithshme e Postës Shqiptare, duke ia atribuar meritën për këtë proces Etjen Xhafës.
Sipas avokatit, vlera e vjedhjeve ka kaluar 3.6 miliardë lekë, ndërsa skema dyshohet se ka funksionuar për vite me radhë. Ai kërkoi që kontrolli financiar të shtrihet edhe më tej në dokumentacionin kontabël të institucionit, deri në periudhën kur në Postën Shqiptare është instaluar sistemi Eterna.
Ilia akuzoi gjithashtu Prokurorinë e Durrësit se nuk ka hetuar në drejtimin e duhur, por ka ndjekur, sipas tij, rrjedhën e grupit që qëndron pas vjedhjeve.
“Është ai grup kriminal që drejtonte postën dhe në momentin që Mataj erdhi, ajo është dëshira e tyre dhe e implikuan. Prokuroria e Durrësit ndoqi rrjedhën e grupit kriminal. Vjedhja ka shkuar mbi 3.6 miliardë dhe grupi ka punuar prej vitesh”, deklaroi avokati.
Ai përmendi edhe fondet e tërmetit, të cilat sipas tij kanë kaluar përmes Postës Shqiptare, duke i bërë thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit që të thellojë verifikimet për mënyrën se si janë administruar këto para.
“KLSH ka kontrolluar Bashkinë Durrës dhe ka kontestuar shkelje. Të gjithë lekët e tërmetit kanë kaluar përmes Postës Shqiptare. I bëj thirrje KLSH-së që ka qenë sehirxhi deri tani”, u shpreh Ilia.
Avokati ngriti gjithashtu pretendime për përfshirjen e personave të tjerë në skemë, duke përmendur edhe struktura që lidhen me tatimet dhe të ardhurat. Sipas tij, grupi që drejtonte vjedhjet nuk është ndalur me arrestimin e Matajt, por ka vijuar të veprojë edhe gjatë hetimeve.
Në deklaratat e tij, Ilia kundërshtoi edhe masat e sigurisë të vendosura ndaj bashkëshortit të ish-drejtoreshës, duke i cilësuar arrestimin të pambështetur në prova dhe si shpërdorim detyre nga ana e prokurorisë dhe gjykatës.
“Arrestimi i burrit të saj është vepër penale, shpërdorim i pastër detyre nga ana e prokurorisë dhe Gjykatës së Durrësit. Nuk mund të arrestohet e procedohet një njeri pa pasur prova”, deklaroi ai.
Ndërkohë, dosja hetimore për vjedhjet në filialin e Postës në Durrës i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për shkak të dyshimeve se në çështje mund të jenë të përfshirë persona që gëzojnë imunitet.
Pretendimet e avokatit për një grup të organizuar me mbështetje politike dhe për përdorimin e Elisabeta Matajt si mbulesë mbeten për t’u verifikuar nga hetimet. Kalimi i dosjes në SPAK pritet të përcaktojë nëse pas vjedhjeve qëndrojnë persona të tjerë dhe nëse përgjegjësia penale shtrihet përtej emrave të arrestuar deri më tani.



