KreuAktualitetEkonomiaTVSH më e ulët për ujin dhe produktet e higjienës/ Çfarë ndryshon...

TVSH më e ulët për ujin dhe produktet e higjienës/ Çfarë ndryshon në paketën fiskale 2027

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Komisioni për Ekonominë ka miratuar ndryshimet në paketën fiskale 2027, duke zgjeruar listën e produkteve që do të përfitojnë nga TVSH-ja e reduktuar. Në listën e propozuar janë përfshirë uji i ambalazhuar, produktet e higjienës menstruale dhe ato të higjienës për fëmijët, pas debatit të zhvilluar mes deputetëve dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Financave.

Diskutimet u përqendruan veçanërisht te kërkesa e deputetit socialist Erion Braçe për të trajtuar ujin e ambalazhuar si produkt bazë, duke argumentuar se ai është një domosdoshmëri për konsumatorët dhe duhet të përfitojë nga lehtësimi fiskal, njësoj si produktet e tjera të shportës.

Braçe kërkoi gjithashtu përfshirjen e produkteve të higjienës menstruale dhe pelenave për fëmijët, duke rikthyer një kërkesë që, sipas tij, e ka ngritur prej katër vitesh.

“Ne nuk po propozojmë birrën, rakinë, por ujin që është i domosdoshëm. Është e detyrueshme për një individ 2 litra në ditë. Dhe duke ndjekur këtë logjikë thamë që uji i fabrikuar të trajtohet me 6%”, u shpreh Braçe.

Deputeti socialist kundërshtoi argumentin se uji i ambalazhuar nuk duhet të përfshihet në këtë kategori, duke vënë në pikëpyetje edhe cilësinë e ujit të rubinetit.

“Me këtë ujin e çezmës as gatuan njeri, as e pi, përveç atyre të varfërve që s’kanë asgjë”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj, bëri të ditur se Këshilli i Ministrave nuk ishte dakord me propozimin për ujin, duke argumentuar se legjislacioni duhet të jetë në përputhje me direktivat përkatëse. Ai theksoi se qeveria kishte paraqitur një listë me 54 produkte që do të përfitonin nga trajtimi fiskal.

Megjithatë, Braçe këmbënguli se ulja e TVSH-së duhet të mbështetet te nevojat bazë të qytetarëve dhe jo vetëm te kriteret teknike të përcaktuara nga qeveria.

Në diskutim ndërhyri edhe deputeti i Partisë së Lirisë, Edmond Haxhinasto, i cili kërkoi sqarime mbi kriteret që përdoren për përzgjedhjen e produkteve që përfitojnë nga TVSH-ja e reduktuar. Kryetarja e komisionit, Milva Ekonomi, sqaroi se përcaktimi i listës i është lënë Këshillit të Ministrave.

Edhe deputeti demokrat Eno Bozdo mbështeti përfshirjen e ujit, duke argumentuar se është e pakuptimtë të flitet për lehtësime mbi produktet ushqimore dhe të lihet jashtë një produkt i domosdoshëm për jetesën.

Pas diskutimeve, ndryshimet u miratuan në komision dhe do t’i kalojnë Kuvendit për votimin përfundimtar.

Debat edhe për kompensimin e bizneseve të dëmtuara nga protestat

Përplasjet në Komisionin e Ekonomisë nuk u kufizuan vetëm te paketa fiskale. Deputetët diskutuan edhe aktin normativ për kompensimin e bizneseve të dëmtuara gjatë protestave, ku u evidentuan qëndrime të ndryshme mbi mënyrën e dëmshpërblimit dhe përgjegjësinë për dëmet e shkaktuara.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë bëri të ditur se deri më 16 nëntor, 125 biznese kishin paraqitur pretendime për dëme në vlerën 3.59 milionë euro. Sipas tij, vlerësimi paraprak ishte kryer dhe fondi për kompensimin pritet të alokohet përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave, me shumë mundësi nga fondi rezervë.

Deputeti socialist Erion Braçe kërkoi që kompensimi të mos kufizohet vetëm te bizneset private, por të përfshijë edhe institucionet dhe ndërmarrjet publike që kanë pësuar dëme, veçanërisht në infrastrukturë, ndriçim, mirëmbajtje rrugësh dhe shërbimin e pastrimit.

Ai kundërshtoi faktin që për bizneset të parashikohet një mekanizëm i posaçëm kompensimi, ndërsa për dëmet në pronën publike të mos ketë të njëjtën qasje.

“Siç përdorni fondin rezervë të Këshillit të Ministrave për sipërmarrjet, duhet ta përdorni dhe për institucionet publike”, deklaroi Braçe.

Ai kërkoi gjithashtu të bëhet e ditur nëse janë identifikuar personat që kanë shkaktuar dëmet dhe nëse ka nisur zbatimi i parimit që përgjegjësia financiare t’u ngarkohet autorëve.

“Ligjëroni parimin: dhunuesi paguan”, u shpreh deputeti socialist.

Nga ana tjetër, deputeti demokrat Igli Cara kundërshtoi mënyrën se si qeveria po e trajton çështjen e kompensimit, duke e cilësuar si zbatim të standardeve të dyfishta. Ai ngriti shqetësimin se nuk ka të njëjtën vëmendje për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, për dëmet në buxhetin e shtetit apo për personat e lënduar gjatë protestave.

Cara theksoi se e drejta e protestës është legjitime dhe se nuk mund të përdoret kompensimi i bizneseve si mekanizëm për të penalizuar protestuesit.

“Pse nuk është i njëjti standard edhe për dëmet e përmbytjeve? Nuk flasin kolegët për miliona euro dëme, por edhe për dëmet në buxhetin e shtetit të provuara nga KLSH-ja, nuk mban njeri përgjegjësi”, deklaroi ai.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë sqaroi se akti normativ është hartuar posaçërisht për bizneset e vogla, ndërsa për dëmet e shkaktuara në institucionet publike duhet të angazhohet Avokatura e Shtetit.

Debati u mbyll me kërkesën e Braçes që të identifikohen autorët e dëmeve dhe të mos barazohet protesta me dhunën, duke theksuar se përgjegjësia duhet të jetë individuale për ata që kanë shkaktuar dëme.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat