Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Dhjetë vjet pas referendumit që i hapi rrugën largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, Londra dhe Brukseli kanë ndërmarrë hapin e parë drejt një marrëdhënieje të re, duke zyrtarizuar procesin e “rivendosjes” së bashkëpunimit mes tyre.
Në përfundim të samitit të zhvilluar në Bruksel, udhëheqësit evropianë dhe kryeministri britanik Andy Burnham nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila përcakton drejtimet kryesore të bashkëpunimit në vitet e ardhshme.
Burnham e cilësoi marrëveshjen si historike, duke pranuar se Brexit nuk solli rezultatet që priteshin në Mbretërinë e Bashkuar.
“Është një ditë e mirë për Britaninë, një ditë e mirë për Evropën dhe për njerëzit në të gjithë Unionin. Unë do ta quaja historike. Brexit nuk solli në vendin tonë atë që prisnim dhe kjo është e dukshme”, deklaroi ai.
Dokumenti i nënshkruar përcakton tre fusha kryesore ku palët synojnë të thellojnë bashkëpunimin: uljen e barrierave tregtare për produktet agro-ushqimore, krijimin e mundësive për lëvizjen e 200 mijë të rinjve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të BE-së, si dhe koordinimin e politikave mjedisore dhe të reduktimit të emetimeve.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi marrëveshjen si një pikë kthese në raportet mes dy palëve, duke theksuar nevojën për bashkëpunim përballë ndryshimeve të shpejta në Evropë.
“Kemi bërë zgjedhjen politike për të forcuar marrëdhënien tonë dhe kjo është e dukshme në rezultatet e këtij samiti. Ne jemi gjithmonë në gjendje të bashkëpunojmë dhe duhet të përgatitemi për ndryshimet e mëdha dhe të shpejta që ndodhin në Evropë”, u shpreh Von der Leyen.
Megjithatë, zbatimi i marrëveshjeve nuk do të jetë i menjëhershëm. Masat për lehtësimin e tregtisë së produkteve agro-ushqimore pritet të hyjnë në fuqi jo më herët se viti 2028, ndërsa skema e lëvizjes për të rinjtë parashikohet të realizohet në periudhën 2028-2030.
Sipas Burnham, marrëveshja pritet të sjellë një ndikim fillestar prej 1 miliard paundësh, ndërsa përfitimet ekonomike për Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar mund të arrijnë deri në 17 miliardë paund në vitet e ardhshme.
Nënshkrimi i deklaratës shënon një përpjekje të re për të afruar dy palët, pas një dekade marrëdhëniesh të kushtëzuara nga vendimi i Britanisë për t’u larguar nga BE-ja.



