Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Një grup studentësh kanë njoftuar krijimin e një force të re politike në Shqipëri, me emrin “Të Bashkuar për Shqipërinë”. Nisma është prezantuar përmes një deklarate për shtyp, ku themeluesit e saj e cilësojnë partinë si një bashkim të të rinjve, atdhetarëve dhe profesionistëve, që synojnë të sjellin një alternativë të re në politikë.
Sipas grupit nismëtar, krijimi i partisë vjen pas 180 ditësh angazhimi dhe protestash, në të cilat, sipas tyre, janë përfshirë mijëra të rinj, prindër dhe qytetarë që kërkojnë ndryshim.
“Ne, një grup studentësh, të bashkuar me të rinjtë, atdhetarët dhe profesionistët, deklarojmë sot me zë dhe figurë krijimin e partisë ‘Të Bashkuar për Shqipërinë’. Për 180 ditë, mijëra të rinj, prindër dhe qytetarë kanë treguar që Shqipëria nuk është e lodhur. Ky zë u përket të gjithëve atyre që iu bashkuan protestave për Shqipërinë”, thuhet në deklaratën e tyre.
Nismëtarët bëjnë me dije se synojnë t’u ofrojnë qytetarëve një rrugë kushtetuese drejt shtetit të së drejtës, duke e vendosur bashkimin e zërave dhe përfshirjen e qytetarëve në politikë në qendër të projektit të tyre.
Gjatë prezantimit janë bërë publike edhe disa prej angazhimeve që do të udhëheqin organizimin e forcës së re politike. Mes tyre janë kufizimi i mandateve të drejtuesve, eliminimi i privilegjeve për themeluesit dhe përfshirja e qytetarëve në proceset vendimmarrëse.
Një prej studentëve të përfshirë në këtë nismë deklaroi se partia nuk do të mbetet e kufizuar në një rreth themeluesish, por synon të zgjerohet përmes takimeve me qytetarët në të gjithë vendin.
“Shqipëria nuk është lodër. Në javët që vijnë do të jemi në fshatra dhe qytete për të ndërtuar programin e kësaj partie. Shqiptarët meritojnë një politikë që i dëgjon, drejtues me mandate të kufizuara, jo privilegje për themeluesit. Ftojmë shqiptarët të bashkohen, se e ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet në një rreth të mbyllur, por nga të gjithë ne”, u shpreh ai.
Grupi nismëtar bëri gjithashtu të ditur se iniciativa nuk përfshin vetëm studentë, por edhe pedagogë dhe profesionistë nga fusha të ndryshme, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar.
Në javët në vijim, përfaqësuesit e partisë së re pritet të zhvillojnë takime në qytete dhe fshatra, me synimin për të mbledhur propozimet e qytetarëve dhe për të hartuar programin politik. Ende nuk janë bërë publike detaje të plota mbi strukturat drejtuese dhe programin e saj.



